Komuna e Begzad Sinanit s’ka inspektor ndërtimi

Komuna e Kamenicës nuk ka inspektor të ndërtimi. Kjo mungesë ka bërë që të mos mund të kontrollohen ndërtimet pa leje, të cilat janë duke u zhvilluar në disa pjesë të qytetit.
Mungesa e inspektorit të ndërtimit është pasojë e një transferimi i inspektorit, i cili ishte caktuar në këtë pozitë, duke kaluar në një sektor tjetër të komunës.
Kritika për qeverisjen komunale ka opozita, e cila vlerëson se nuk ka kontroll ndaj ndërtimeve pa leje, të cilat janë duke u zhvilluar në disa pjesë qyteti. Sipas dy subjekteve opozitare: LDK dhe “Vetëvendosje”, mungesa e inspektorëve të ndërtimit do të shkaktojë prishjen e Planit Urbanistik të qyteti.
Besnik Rudhani nga LDK-ja, deklaron se qeverisja komunale ka probleme serioze në funksionimin e Administratës komunale dhe se këto probleme janë duke shkaktuar probleme të tjera. Ai ka thënë se ka shkëputje të përgjegjësisë në shumë prej sektorëve komunalë ku për këtë ka pasur reagim nga vetë drejtuesit e komunës.
Ndërsa Arsim Thaçi nga lëvizja “Vetëvendosje”, vlerëson se ndërtimet pa leje përveç që prishin planet rregulluese urbane ato edhe dëmtojnë buxhetin komunal, ngase nuk paguhet pajisja me leje ndërtimi. Ai ka thënë se do të përcjellin me vëmendje të madhe procesin e legalizimit ku nuk mund të hyjnë disa objekte të cilët janë të evidencuar se nuk i përmbushin ato kritere.