Kompania kroate largohet nga Kosova pa e përfunduar punën

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 100 mijë euro është vlera që ka dëmtuar dy kompanitë vendore, të cilat kishin kontratë me kompaninë kroate “Konstruktor –Inzenjering”. Kompania kroate u largua nga Kosova pa përfunduar projektin, për të cilin kishte kontratë me BE-në. Drejtues të të dyja kompanive kanë kërkuar llogari në zyrat e BE-së për paratë e humbura, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

Papërgjegjësia e kontraktorit nga Kroacia u ka kushtuar mijëra euro dy kompanive kosovare.

Rreth 70 mijë euro investime është borxhi ndaj kompanisë “Izolimi” dhe rreth 30 mijë të tjera për kompaninë “Elektroing” për sigurim të objektit, i “Konstruktor Inzenjering”, kompani kjo që ishte kontraktuar nga BE-ja për projektin e impiantit për ujërat e zeza në fshatin Medvec dhe Vrellë.

Drejtues të “Elektroing”-ut, të cilët ishin nënkontraktorë për sigurim, pasi u largua kjo kompani nga Kosova vazhduan të ruajnë objektin, pasi kështu kishin edhe kontratën e pezulluar.

Albert Bublica thotë të ketë paguar punëtorë sigurimi nga xhepi i tij për 27 muaj rresht.

Bublica thotë t’i jetë drejtuar disa herë zyrës së BE-së në Kosovë si investitor, por që nuk kanë arritur të marrin asnjë përgjigje konkrete për këto 3 vjet.

Ai thotë se nuk do të lejojë të vazhdojnë punimet pa u bërë kompensimi i mjeteve.

Në të njëjtën situatë është edhe drejtuesi i kompanisë “Izolimi”, Sabri Rama, i cili i kontaktuar nga KTV-ja përmes telefonit, ka thënë se deri tani nuk ka marrë përgjigje nga BE-ja e as nga kompania me të cilën kishte kontratë.

Rama ka thënë se për këtë problem i është drejtuar edhe ambasadës kroate, por që nga ajo ka marrë përgjigje negative, pasi që kjo kompani ka falimentuar.

Ndërkaq, televizioni i është drejtuar edhe zyrës së BE-së në Kosovë, për të marrë një përgjigje për të cilën u desh të pritet dy ditë.

Kjo zyrë, përmes postës elektronike, ka shpjeguar se nuk do të marrë asnjë obligim për të kompensuar këto kompani.

“Që nga fundi i vitit 2013, kompania ka ndërprerë punimet dhe nuk ka komunikuar me zyrën e BE-së. Kontrata është ndërprerë, punimet e papërfunduara janë ritenderuar dhe është kontraktuar një kompani tjetër në shtator 2015”.

Zyra e BE-së planifikon t’i përfundojë dhe t’ua dorëzojë projektet komunave.

“Kontraktori i mëhershëm, ‘Konstruktor Inzenjering’, nuk e ka njoftuar zyrën e BE-së lidhur me nënkontraktimin e ndonjë kompanie. Si rrjedhojë, Zyra e BE-së nuk ka autorizuar asnjë nënkontraktim. Nëse, duke e shkelur kontratën me Zyrën e BE-së, ‘Konstruktor Inzenjering’ i ka nënkontraktuar punimet, Zyra e BE-së nuk mund të jetë përgjegjëse për keqbërje, që rezulton nga raporti midis kontraktorit dhe nënkontraktorëve”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

Ditë më parë, zyrtarë të BE-së, bashkë me kontraktorin e ri të projektit, janë penguar të nisin punimet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kompania-kroate-largohet-nga-kosova-pa-e-perfunduar-punen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala