Komisioni për Shëndetësi interesohet për shërbimet shëndetësore në QKUK

Autori:Avdyl Pajaziti

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, bordi drejtues si dhe nga profesionistët shëndetësorë janë njoftuar në lidhje me gjendjen aktuale në njësitë përbërëse të SHSKUK-së, sfidat, problemet dhe aktualitetet tjera.

Në takim ishin prezentë Flora Brovina, kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fikrim Damka, anëtar i komisionit, Njomza Emini, anëtare, dhe Safete Hadërgjonaj, zv. kryesuese e Komisioni për Buxhet dhe Financa, njofton kumtesa nga QKUK.

Dr. Flora Brovina, tha se qëllimi i takimit është njohja nga afër me punën që bëhet në SHSKUK, sidomos në Shërbimin e Kardiokirurgjisë, Klinikën e Neonatologjisë dhe atë të Pediatrisë.

Në takim, drejtori Curr Gjocaj, njoftoi komisionin në lidhje me raportin nëntë mujor të punës për të gjitha njësitë përbërëse të SHSKUK-së, duke sqaruar se janë kryer mbi 29.000 operacione dhe mijëra vizita dhe ekzaminime tjera mjekësore.

Dr. Sadik Llullaku, kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, njoftoi se SHSKUK është formuar bazuar në Ligjin në Ligjin për Shëndetësi.

Ai propozoi se ndoshta këto barna do të ishte mirë t’i siguronte Ministria e Shëndetësisë.

Lidhur me shqetësimet buxhetore dhe nevojën e investimeve më të mëdha në SHSKUK, foli edhe dr. Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues SHSKUK.

Safete Hadërgjonaj, zv. Kryesuese e komisionit tha se bazuar në buxhetin e propozuar në vitin 2016, nuk pritet të ketë risi për SHSKUK.

Raif Qavolli, Ud. Drejtor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë theksoi se janë riorganizuar dhe me gjithë vështirësitë dhe sfidat, është arritur që të operohen 6 pacientë dhe se nevojitet përkrahje e vazhdueshme buxhetore për të investuar në zhvillimin e mëtejmë.

Dr. Mynevere Hoxha, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë prezantoi nevojat që ka kjo klinikë për pajisje të reja dhe rezultatet e punës.

“Në vitin 1999, vdekshmërinë e foshnjave e kishim 31 promilë, tani ka rënie në 9.1 promilë për foshnjat që lindin në Klinikën e Gjinekologjisë dhe ky është sukses i madh”, përfundoi dr. Hoxha.

Për Klinikën e Pediatrisë, foli dr. Muharrem Avdiu, i cili po ashtu, prezantoi kërkesat për investime në këtë klinikë.

Lirije Beqiri, koordinatore e infermierisë në nivel të SHSKUK-së, tha se në nivel të SHSKUK-së- QKUK ka mungesë të 150 infermierëve.

Në takim u bisedua edhe në lidhje me kërkesat e tjera që ndërlidhen me zhvillimin e klinikave në QKUK dhe SHSKUK në përgjithësi.

Zyrtarët e komisionit për shëndetësi nga afër vizituan Shërbimin e Kardiokirurgjisë, Klinikën e Neonatologjisë dhe atë të Pediatrisë ku biseduan më profesionistët shëndetësorë dhe dëgjuan shqetësimet e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komisioni-per-shendetesi-interesohet-per-sherbimet-shendetesore-ne-qkuk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala