KOMF: Të miturve në Qendrën korrektuese po iu mohohet arsimimi

Autori:Avdyl Pajaziti

KOMF të hënën shprehu shqetësimin për mos-mbajtjen e procesit mësimor për të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Edhe pse kanë kaluar pothuajse dy muaj nga koha kur do të duhej të fillonte procesi mësimor, përkatësisht 1 shtator, të miturve në Qendrën Korrektuese në Lipjan, vazhdon t’i mohohet e drejta për arsim, e drejtë e garantuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës dhe dispozitat tjera të cilat obligojnë të drejtën për edukim dhe shkollim të të miturve të cilët për arsye ligjore, mbahen në Qendrën Korrektuese.

“Në fillim të këtij viti shkollor, mësimin do të duhej ta fillonin dhe vijonin gjithsej 42 të mitur në Qendrën korrektuese. Arsyeja e mos-fillimit të procesit mësimor, është mungesa e numrit të mjaftueshëm të arsimtarëve për organizimin e mësimit në Qendrën Korrektuese. Kjo ishte arsyeja për të cilën Drejtorati Komunal i Arsimit në Lipjan kishte njoftuar Drejtorin e Qendrës Korrektuese në Lipjan”, thuhet në njoftim.

KOMF kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – MASHT, Ministria e Drejtësisë –MD dhe Komuna e Lipjanit, që urgjentisht të marrin masat e nevojshme për zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi të cilat garantojnë arsimimin e të miturve në qendrën korrektuese dhe të funksionalizojnë procesin arsimor.

KOMF konsideron se mos-mbajtja e procesit mësimor për të miturit, është mos zbatim i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe dispozitave të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe Kodit të Drejtësisë për të Mitur.

KOMF konsideron se për asnjë arsye, qoftë ajo financiare apo organizative, procesi arsimor për të miturit në qendrën korrektuese nuk duhet të ndërpritet.

“Në këtë mënyrë të miturve po iu mohohet e drejta e tyre themelore për arsim. Për më tepër, mos ofrimi i arsimit rritë stigmatizimin e të miturve duke vështirësuar apo pamundësuar risocializimin dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri”, thuhet në reagim.

KOMF thekson se është obligim i MASHT, komunave, institucioneve arsimore dhe organeve të tjera relevante, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efektive, gjithëpërfshirëse, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor dhe social.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komf-te-miturve-ne-qendren-korrektuese-po-iu-mohohet-arsimimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala