KOMF: Fëmijët në Kosovë ende pa të drejta

Autori:Gazeta Fjala

Në ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve,KOMF ka publikuar një kumtesë lidhru e të drejtat e fëmijëve në Kosovë.

Të dhënat në Kosovë tregojnë se edhe këtë vit vazhdon të mos ketë investim të mjaftueshëm tek fëmijët dhe se jo të gjithë fëmijët mbrohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Të dhënat e fundit, të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve 32.8 për qind në krahasim me 29.7 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme.

Megjithëse është punuar shumë në hartim të legjislacionit, Raporti i progresit për Kosovën për këtë vit, theksoi faktin se kemi mungesë të zbatimit të legjislacionit i cili ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Komunat vazhdojnë të mos kenë burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime sociale brenda përgjegjësive të tyre.

Sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në Kosovë 10.7% e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç janë të angazhuar në punë, përderisa 61.4 për qind e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kishin pësuar dhunë psikologjike dhe/apo fizike nga familjarët gjatë muajit të fundit nga data e intervistimit, transmeton Koha.net.

Shfrytëzimi i fëmijëve për kërkim lëmoshë, vazhdon të jetë një problematikë e vazhdueshme ku fëmijët janë lënë të kujdesen për veten e tyre dhe detyrohen të sillen si të rritur, duke humbur fëmijërinë e tyre.
Financimi në sektorin e shëndetësisë ende është pamjaftueshëm, i cili pamundëson plotësimin e nevojave bazë për shëndetin e nënës dhe fëmijës, shëndetin publik, e cila reflekton në zhvillimin e fëmijës.

Përfshirja e fëmijëve në sistemin arsimor, sidomos arsimin parashkollor apo edukimin në fëmijërinë e hershme vazhdon të jetë e ulët, me ç’rast vetëm 4.5% e fëmijëve janë përfshirë në arsimin parashkollor (mosha 0-5), ndërsa 74% e fëmijëve të moshës 5-6 vijojnë arsimin parafillor.

Me gjithë përpjekjet për zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara, ende mungon përfshirja e plotë e fëmijëve dhe cilësia e nevojshme si pasojë e mungesës së burimeve të mjaftueshme dhe kapaciteteve të nevojshme për të ofruar arsim cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara. Njëherit, në Kosovë, shumica e fëmijëve me aftësi të kufizuara fatkeqësisht nuk i gëzojnë plotësisht të drejtat dhe liritë themelore edhe në sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Fatkeqësisht vështirësitë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, nuk kufizohen vetëm në cështjet e lartpërmendura.
Në mënyrë që të investohet për krijimin e një shoqërie e cila prosperon drejt integrimeve evropiane, për zhdukjen e varfërisë së skajshme, zgjerimit të kapaciteteve vendore përmes investimit në të rinjtë me perspektivë të zhvillimit të vendit, KOMF vazhdon të kërkojë vëmendjen tuaj (Kryeministri, kryetarët e komunave dhe institucionet përkatëse) për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel qendror dhe komunal, në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Nëntëmbëdhjetë organizata jo-qeveritare që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë, me qëllim të koordinimit të mëtejshëm të përpjekjeve të tyre në mbrojtjen e fëmijëve, përbëjnë KOMF. me mision mbrojtjen, respektimin dhe avancimin e mirëqenies dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komf-femijet-ne-kosove-ende-pa-te-drejta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala