Kombëtarja fiton miliona euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Kualifikimi i Kombëtares shqiptare për herë të parë në një kompeticion europian, përveç entuziazmit dhe rritjes së imazhit të Shqipërisë, pritet të sjellë edhe përfitime të ndjeshme financiare për Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Përfitimi më i madh është ai që buron nga rritja e imazhit. Një pjesë e të ardhurave është ajo që buron nga granti që jep UEFA për ekipet pjesëmarrëse në Euro2016. Në këtë rast flasim për një formulë të kombinuar, e cila përbëhet nga një minimum i garantuar dhe një sistem bonus që i garantohet ekipit. Baza që ne presim të vijë nga kjo formulë do të jetë diku rreth 7-8 milionë euro”, shprehet Gazmend Malo, drejtor i Marketingut në FSHF.

Veç fondeve nga UEFA, arka e federatës ka përfituar rreth 300 mijë euro të tjera edhe nga rritja e të ardhurave që merren nga biletat, për shkak të pjesëmarrjes më të madhe të tifozëve.

“Ne kemi pasur vëmendje maksimale në lidhje me ndeshjet. Pra, shitjet e biletave kanë qenë 100%. Në krahasim me sezonin e kaluar kemi pasur një rritje prej 20-25%. Një drejtim tjetër, që ka pasur vëmendjen tonë ka qenë edhe ai i veshjes kuqezi, apo i veshjes zyrtare. Ne kemi pasur një rritje të shitjeve në dyqanin tonë online duke kapur rreth dyfishin e një sezoni më parë”, ka shtuar më tej Gazmend Malo.

Rritje 100 për qind të të ardhurave pritet të ketë edhe nga sponsorët, apo kompani të cilat kanë shprehur dëshirën të sponsorizojnë për përfaqësuesen, në një kompeticion ku një ndeshje do të ndiqet nga të paktën 150 milionë njerëz.

Mësohet se, aktualisht FSHF është në bisedime me një kompani të madhe ndërkombëtare të prodhimit të makinave, e cila është njëkohësisht sponsor i shumë përfaqësueseve dhe klubeve të mëdha europiane.

“Presim edhe në këtë aspekt që të ketë një rritje të ndjeshme, si nga kontratat ekzistuese, ashtu edhe nga sponsorët e rinj. Është e vërtetë që në këtë moment kërkesa është maksimale, ndaj dhe ne mendojmë se do të kemi një rritje së paku 50% deri në 100% edhe këtu, në lidhje me të ardhurat aktuale. Ka mjaft kompani të interesuara, ndër të cilat janë edhe disa ndërkombëtare”, tha më tej drejtori i Marketingut në FSHF.

Pjesëmarrja në Euro 2016, grumbullimi i Kombëtares me të paktën 10 ditë para fillimit të ngjarjes dhe 3 ndeshjet që do të luajnë në grup, sigurisht që do të kenë një kosto financiare për FSHF-në.

 

“Pjesëmarrja në Europian është një makinacion shumë i madh dhe shumë i shpenzueshëm. Presim që vetëm shpenzimet logjistike për ekipin, stafin teknik, fluturimet me ‘charter’, transporti, trajnimet dhe çdo gjë tjetër që lidhet me këtë, mendojmë që të shkojnë minimalisht 2 milionë euro. Kjo shifër është vetëm për fazën e grupeve”, tha në përfundim Gazmend Malo.

 

Në fund të këtij eventi, gjithsesi Federata Shqiptare e Futbollit do të dalë me një bilanc pozitiv. Drejtori i Marketingut, Malo thotë se me financat e mbetura, FSHF-ja do të vazhdojë të investojë jo vetëm për kombëtaret, por për rritjen e cilësisë së të gjithë futbollit shqiptar

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kombetarja-fiton-miliona-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala