Kolonel Syla thotë se me veteranët po luhet për shkaqe politike

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe pas më shumë se një dekade e gjysmë nga përfundimi i luftës në Kosovë, pjesëtarët e gjallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjarët e atyre që më nuk janë në mesin e të gjallëve po ballafaqohen me dukurinë e shëmtuar të mohimit të kontributit të tyre, respektivisht me futjen në lista të njerëzve që askush nuk dinë se ndonjëherë ishin rreshtuar përkrah atyre që luftuan për çlirimin e këtij vendi.

Tendenca e hershme për ngjyrosjen e luftës me ideologji e parti u manifestua haptas në procesin e verifikimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Që në start u investua dhe u bënë përpjekje të mos u njihet kontributi pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), atyre që mbajtën emblemën e UÇK-së dhe eprorët e tyre nën udhëheqjen e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonelit Ahmet Krasniqi, u prinë disa beteja.

Njohës të rrethanave të luftës dhe të pasluftës në Kosovë në këtë proces verifikimi që degradoi shumë shohin tendencën e falsifikimit të historisë, respektivisht të mohimit të organizimit dhe të historisë së luftës së UÇK-së që ishte e mbështetur mbi bazamentin institucional-shtetëror.

KosovaLive ka bërë përpjekje që në këtë temë të marrë prononcime edhe nga historianë, sociologë e analistë të ndryshëm, por për habi, përgjigjet e tyre si emërues të përbashkët kanë pasur pikërisht faktin se një fenomen i këtillë është vështirë të komentohet me një prononcim, pasi supozimet se përse u deformua procesi i verifikimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë të shumta.

Sido që të jetë, të pakënaqur me zvarritjen dhe degradimin e procesit të verifikimit të statusit të dëshmorit, invalidit apo të internuarit të UÇK-së nuk janë vetëm veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët protestuan disa herë, por edhe anëtarët e komisionit të përmendur qeveritar, dy prej të cilëve tashmë kanë dhënë dorëheqje nga ai komision.

Nga pakënaqësitë që kanë rrjedhur sa i përket procesit të verifikimit të veteranëve të UÇK-së ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Komisionit Shemsi Syla e më pas edhe anëtari tjetër, Avdi Raci.

Ata kanë refuzuar të jetë pjesë e këtij komisioni, me arsyetimin se nuk po vepron në përputhje me ligjin dhe vlerat e luftës.

I kontaktuar nga KosovaLive, koloneli Shemsi Syla ka thënë se pakënaqësitë e tij kanë të bëjnë me neglizhimin, zvarritjen, deformimin e këtij procesi.

“Unë përkrah ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së, edhe pse dihet se ky ligj ka mangësi, paqartësi e edhe lëshime e gabime, por kemi shpresuar se me angazhim ato do të tejkalohen e korrigjohen me akte nënligjore, gjë që nuk ka ndodhur”.

“ Këtë proces nuk e rrezikon vetëm ligji i paqartë, por edhe qasja joadekuate në mënyrën e verifikimit nga ana e atyre që kanë pasur për obligim ta bëjnë një gjë të tillë. Tani jemi në muajin e pestë pas publikimit të listave dhe ende nuk është bërë verifikimi i plotë i listave dhe, të paktën për Zonën e Karadakut, nuk është shqyrtuar asnjë ankesë, kurse komisioni ka filluar të shpërndajë certifikata që i konsideron të verifikuara”, ka deklaruar Syla.

Syla konsideron se në vend të vlerësimit të vlerave të vërteta të UÇK-së ky proces po përdoret për përfitime politike, familjare e klanore, madje edhe për të rehabilituar persona me të kaluar të dyshimtë e të pamerituar duke e shfrytëzuar këtë moment historik për t’i barazuar ata me ushtarët e vërtetë të UÇK-së.

Edhe pse shqyrtimi i rreth 21 mijë ankesave veç sa ka filluar, Komisioni qeveritar po paralajmëron se procesi do të përfundoi shpejt.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të Luftës, Xhevdet Qeriqi, ka kritikuar Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit apo të internuarit të UÇK-së, për të cilin ka thënë se që nga fillimi e ka nisur punën keq dhe kështu edhe po e përfundon.

Ai ka treguar për KosovaLive se edhe sot do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës në sheshin “Skenderbeu”, me kërkesën e tyre kryesore, shqyrtimi sa më i shpejtë i ankesave dhe fillimi i zbatimit të ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.

“Komisioni ka filluar punën keq qysh në fillim dhe po e përfundon keq, po bëhen gati tri vite dhe është e pakuptimtë dhe e padrejtë me këto lojëra që i kanë bërë ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së sepse veteranët nuk e kanë merituar që të luhet kështu sepse kanë mundur që ta përfundojnë këtë proces brenda 1 muaji apo dy por qëllimshëm është bërë kjo vonesë dhe sa i përket fryrjes së listave kjo nuk diskutohet sepse për të gjitha zonat është raportuar se ka pasur parregullsi”, ka deklaruar Qeriqi.

Sipas tij, krejt çka po kërkojnë ata është publikimi i listave përfundimtare në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, ndërsa ka shtuar se deri tash premtimet e qeveritarëve që u kanë dhënë veteranëve kanë qenë të kota.

Ai ka rikujtuar se në takimin që kishin zhvilluar më parë më kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u kishte premtuar se buxheti i dedikuar për këto kategori nuk do të preket por sipas Qeriqit një gjë e tillë ka ndodhur me rishikim të buxhetit.

– See more at: http://lajmi.net/kolonel-syla-procesi-i-verifikimit-te-veteraneve-po-perdoret-per-perfitime-politike/#sthash.s798dvhd.dpuf

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kolonel-syla-thote-se-me-veteranet-po-luhet-per-shkaqe-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala