Kolonë e gjatë në magjistralen Prishtinë – Ferizaj

Qytetarët që kanë mësyrë sot rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, po duhet të presin me orë të tëra që të kalojnë nëpër të. Kjo pasi rruga ka nisur të asfaltohet duke bërë që kolonat e makinave në këtë rrugë të shkojnë deri në 7 kilometra.
Një lexues i Koha.net i ka telefonuar redaksisë sonë duke treguar se ka rreth 2 orë që është nisur nga Ferizaj për në Prishtinë.
“Rruga Prishtinë – Ferizaj, në të dy korsitë, është e bllokuar tash e disa orë dhe veturat po lëvizin jashtëzakonisht shumë ngadalë. Kjo pasi ka nisur të asfaltohet kjo rrugë. Ka rreth dy orë që jam nisur nga Ferizaj për në Prishtinë, dhe ende nuk jam në gjysmë të rrugës”, ka thënë Berati për Koha.net, i cili nuk deshi të identifikohej edhe me mbiemër.
Rruga magjistrale Prishtinë – Ferizaj ka qenë një prej rrugëve më të dëmtuara në vend, duke u shkaktuar vazhdimisht kokëçarje vozitësve.