Koci letër Muhaxherit: Do të ngre padi për shpifjet ndaj Haradinajt

Autori:Avdyl Pajaziti

Koci, letër Muhaxherit: Ndërpriti shpifjet ndaj Haradinajt, do të ngre padi ndaj jush
Arianit Koci, në cilësinë e avokatit mbrojtës të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në lidhje me pretendimet e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, se Haradinaj “ende fiton para përmes benzinës dhe lojërave të fatit”, deklarata këto që kreu i Komunës së Pejës i bëri dje gjatë një bisede me të përditshmen austriake “Der Standard”, i ka dërguar këtij të fundit një letër përmes së cilës i ka kujtuar atij se “kallëzimi i rrejshëm është vepër penale”.
Në letrën që e ka siguruar Indeksonline, Koci, duke kujtuar rastet gjyqësore ndaj klientit të tij në Hagë, Gjykatë nga e cila Haradinaj doli i pafajshëm, ka thënë se për akuzat që Muhaxheri i ka bërë në drejtim të Haradinajt, nesër do të ngre padi ndaj tij, gjithmonë duke u bazuar në Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes të Republikës së Kosovës.
“Po ju drejtohem në cilësinë e avokatit të z. Ramush Haradinaj, lidhur me deklarimet fyese dhe shpifëse kundër tij, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “Der Standard”. Nuk është hera e parë që bëni deklarata të rrejshme, kundër z. Haradinaj. Prandaj, kërkojmë që menjëherë t’i ndërpreni ato”, thuhet mes tjerash në letrën që Koci i ka drejtuar Muhaxherit.
Koci thotë më tej se deklarimet e Muhaxherit, “në lidhje me kinse sjelljen kriminale të klientit tim, gjithmonë paraqiten në momente të ndjeshme politike”. Ai thotë se kjo nuk i bën Muhaxherit nder politikisht, dhe në të njëjtën kohë, “ju bën përgjegjës ligjërisht”.
“Ju përkujtoj që moslajmërimi i veprës penale nga ana e Juaj, përbën vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prandaj, kryejeni obligimin qytetar: raportojeni krimin! Shkoni në Prokurori dhe kallëzoni krejt çka dini! Por, mos harroni: kallëzimi i rrejshëm është vepër penale”, theksohet më tej në letrën e avokatit Arianit Koci.
Tutje, ai i bën thirrje kreut të Komunës së Pejës që të mos keqpërdor hapësirën mediale për qëllime të pastra politike.
“Me insinuata dhe deklarime të pavërteta, me dashje, keni ndërmarrë veprime në kundërshtim me frymën e vlerave të mbrojtura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve aplikative të Republikës së Kosovës”, thekson më tej Koci në letër.

Koci i thotë Muhaxherit se Haradinaj i është përgjigjur thirrjes së vendlindjes dhe popullit, në dy raste: edhe në luftë dhe në jetë civile.
Për më tepër, Koci thekson se Haradinaj, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, i është përgjigjur edhe instancës më të lartë ndërkombëtare ligjore: Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës – dy herë.
“Besoj që e dini që ka dalë i pafajshëm. Madje, në rigjykim, gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar që z. Haradinaj, jo vetëm që nuk ka kryer krime të luftës, por ka bërë veprime aktive në parandalimin e tyre”, kujton Koci.

“Qëllimi juaj i keq – per se – kundër klientit tim, nuk kontestohet, dhe kjo nuk është hera e parë”, thotë Koci në letrën drejtuar Muhaxherit.
Në fund, ai i kujton kreut të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, se deklarimet e tij sanksionohen me Ligjin Civil

Kundër Shpifjes dhe Fyerjes të Republikës së Kosovës.

Prandaj, që nesër, në emër të z. Ramush Haradinaj, do ta dorëzoj padinë kundër jush”, përfundon letra e avokatit Arianit Koci drejtuar kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në emër të klientit të tij, Ramush Haradinaj.
Gazmend Muhaxheri, në një deklaratë dhënë të përditshmes austriake “Der Standard” ditën e djeshme, ka thënë se liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, “i ka rënë ndikimi në Pejë, mirëpo ai ende fiton para prëmes benzinës e lojërave të fatit”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/koci-leter-muhaxherit-do-te-ngre-padi-per-shpifjet-ndaj-haradinajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala