Koalicioni i majtë fiton mbi 50 bashki në Shqipëri

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votimeve për pushtetin vendor, në 12 qarqet e vendit.

Në bazë të hartës së re administrative territoriale, Shqipëria është ndarë në 61 njësi vendore, për të cilat deri në mbrëmjen e së hënës, burime të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë shpallur se pjesëmarrja në votime ka qenë në 47.89%.

Aleanca e majtë për Shqipërinë Europiane, e udhëhequr nga Partia Socialiste në pushtet arriti të marrë në shumicë mbi 50 bashki në gjithë vendin, ndonëse Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, e udhëhequr nga Partia Demokratike, arriti të marrë disa bashki që njihen si bastione të së majtës.

Gara për Tiranën, ka qenë e ashpër në fushatë, por nga numërimi i votave kandidati i majtë Erion Veliaj, rezulton me një diferencë të theksueshme ndaj rivalit demokrat Halim Kosova.

Surprizë ishte pjesëmarrja e të pavarurit Gjergj Bojaxhiu, i cili ka marrë të paktën 5% të votave në Tiranë.

Lëvizja Socialiste për Integrim, e udhëhequr nga Ilir Meta, ka fituar si koalicion, por jo si parti, pasi kandidatët e saj në bashkitë e Pogradecit, Vorës, Lezhës, Kukësit e Mallakastrës, kanë humbur përballë kandidatëve të së djathtës.

Surprizë ka qenë edhe partia e minoritetit grek për Ardhmërinë, MEGA, e cila ka fituar bashkinë e Finiqit në qarkun e Vlorës.

Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR, ka publikuar edhe raportin paraprak të zgjedhjeve.

Ambasadorja, Audrey Glover, drejtuese e vëzhguesve, tha se fushata ishte e qetë dhe tonet e saj ishin më të qeta se më parë, por “mungoi vullneti politik për të zbatuar ligjin dhe politizimi i institucioneve minoi procesin zgjedhor”.

“Pati një sjellje të qartë ndërmjet kandidatëve. Fushata e qetë. Toni i fushatës në përmirësim, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.”

Për herë të parë, është kritikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një raport të vëzhguesëve ndërkombëtarë, për politizim diskutimesh dhe pasojat e kundërligjshme të tyre”.

Për vetë ecurinë e zgjedhjeve, zonja Glover tha se ishin pozitive, por janë vënë re edhe disa problematika gjatë procesit siç është votimi në grup apo grupe simpatizantësh në hyrje të qendrave të votimit, të cilët penguan apo ndikonin te votuesit.

Ndërsa Stewart Dickens, kreu i delegacionit të Kongreseve të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në KE u shpreh në fjalën e tij se akuzat për blerje votash do të analizohen me kujdes në raportin e tetorit në Strasburg.

Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë ka përgëzuar qytetarët që kanë ushtruar të drejtën e votës…

“Numërimi i votave vazhdon dhe u bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve. Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune”.

“Ne i bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera”, thuhet mes tjerash në reagimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/koalicioni-i-majte-fiton-mbi-50-bashki-ne-shqiperi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala