KMDLNJ: Të ndërtohet një spital për të burgosurit!

Autori:Avdyl Pajaziti

Kohë më parë një i dënuar me 14 vite burg u arratis nga Spitali Rajonal në Pejë ku ishte dërguar pasi Qendra Korrektuese në Dubravë nuk kishte kushte për trajtimin e tij. I dënuari ishte dërguar në Pejë me udhëzimin e mjekut të Burgut të Dubravës dhe në përputhje me procedurat për sigurinë në raste të tilla.
Nuk ishte ky rasti i parë dhe nuk do të jetë as i fundit që një i burgosur, duke shfrytëzuar pakujdesinë e ekipit përcjellës të arratiset pas së cilave ka reagime akuzuese dhe shfajësuese, vlerëson Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në Kosovë, numri i të paraburgosurve dhe të dënuarve sillet midis 1800 – 2000 individë, mosha është e ndryshme dhe rrjedhimisht, në mesin e tyre ka të tillë me probleme të rënda apo të lehta shëndetësore që i kanë pasur para se të privoheshin nga liria apo sëmundje që i kanë fituar gjatë vuajtjes së dënimit.

“KMDLNj, si organizatë që monitoron qendrat e ndalimit, qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese shumë herë e ka ri – përsëritur kërkesën për ndërtimin e një qendre spitalore ku do të trajtoheshin të gjithë personat e privuar nga liria sepse, në rrethanat dhe me kapacitetet aktuale, njësia shëndetësore e Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk ka potencial, as profesional e as teknik për trajtimin e tyre. Për këtë arsye ka ankesa të shumta të burgosurve për trajtim jo – adekuat mjekësor sikur edhe kërkesa për trajtim mjekësor jashtë objekteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për KMDLNj–në është e pa pranueshme që 16 vjet pas përfundimit të luftës, përkundër rinovimeve të shumta ( kryesisht të dështuara) të institucioneve korrektuese dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja, Pavijoni për Dëshmitarë të Mbrojtur, Qendrat e paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan (duke u ndërtuar) e sidomos Burgu për Siguri të Lartë në Dyz, askush nuk ka ndërmarrë iniciativë për ndërtimin e një qendre spitalore për të burgosur me të cilën do të plotësoheshin kushtet e parapara sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Rregullave Evropiane të Burgjeve dhe Konventave që e parandalojnë trajtimin çnjerëzor dhe diskriminues.

“Me ndërtimin e një spitali për të burgosur do të binte ndjeshëm numri i rasteve të trajtimit jashtë ambienteve të burgut, do të zvogëloheshin në minimum shpenzimet për shërim jashtë burgut dhe këto mjete të kursyera do të përdoreshin për stimulimin e stafit mjekësor dhe përmirësimin e kushteve fizike për trajtim si dhe do të eliminohej rreziku për arratisjen e të burgosurve gjatë qëndrimit në QKUK apo në Spitalet Rajonale. Procesi i transportimit të një të burgosuri nga vendi ku vuan dënimin deri në vendin e trajtimit kërkon angazhim të një numri të madh të personelit përcjellës, personelit që e ruan gjatë qëndrimit në trajtim jashtë burgut dhe është i kushtueshëm financiarisht sikur edhe krijon kushte të favorizimit apo diskriminimit në bazë të statusit shoqëror që e kanë pasur më parë”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj mendon se me zgjerimin e kapaciteteve në Burgun për Siguri të Lartë, do të mund të krijohej një spital për trajtimin e së paku 60 – 80 rasteve që janë më të rënda dhe ky spital do t’i plotësonte kushtet e parapara për siguri dhe ato klimatike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kmdlnj-te-ndertohet-nje-spital-per-te-burgosurit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala