KMDLNj: Qytetarët të protestojnë kundër tarifave të larta të energjisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se KEDS-i me këto fatura pamëshirshëm e ka goditur konsumatorin dhe e ka përgënjeshtruar Qeverinë e Kosovës, e cila pati premtuar se me përshkallëzimin e TVSH-së, qytetarët do të paguajnë më pak para për rrymën e shpenzua.

KMDLNJ nëpërmjet një komunikate thotë se shumë qytetar iu kanë drejtuar shkaku se faturat për muajin e fundit të vitit 2015 janë më të larta 100% e në disa raste edhe më shumë, krahasuar me muajin paraprak.

KMDLNJ thotë se këtë shtrenjtim të paparalajmëruar të rrymës, në radhë të parë do të goditet amvisëria, pensionistët, kategoritë nën përkujdesje sociale, si dhe do të dëmtohen shumë bizneset që janë shpenzues të mesëm apo të mëdhenj të energjisë elektrike.

“Qeveria e Kosovës, në radhë të parë duhet t’i mbrojë interesat e qytetarëve, konsumatorëve të energjisë elektrike të cilët pamëshirshëm plaçkiten nga KEDS përmes fryrjes së faturave, tarifave dimërore dhe ngatërrimit të qëllimshëm të këtyre tarifave, mos leximit apo leximit joprofesional të njehsorëve dhe parregullsi të tjera të shumta e jo të kontribuojë në përkeqësimin e gjendjes edhe ashtu të rënduar të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNJ-së, në të gjitha vendet e rajonit çmimet e energjisë elektrike, ujit, ngrohjes shërbejnë për stabilizim të gjendjes ekonomiko – sociale të qytetarëve, ndërkaq në Kosovë shfrytëzohen për varfërimin e qytetarëve që pashmangshëm prodhojnë tensionim të situatës së sigurisë.

“Në Kosovë, me një varfëri prej 65% dhe papunësi mbi 55% është e pamoralshme dhe e papranueshme të dëmtohet në masë aq të madhe interesi i qytetarit i cili nuk është në gjendje t’i paguaj faturat e rrymës, ujit dhe ngrohjes edhe me çmime aktuale e lere më pasi ato të shtrenjtohen. Nuk është hera e parë që vërtetohet se KEDS plaçkit botërisht qytetarët e Kosovës , qoftë përmes fryrjes së faturave apo njehësorëve të kurdisur e që nuk e paraqesin shpenzimin real të energjisë elektrike. Për disa raste është bërë kallëzimi penal dhe kanë filluar proceset gjyqësore”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj druan se pas shtrenjtimit të rrymës pashmangshëm do të ketë shprehje të pakënaqësisë të qytetarëve e cila do të jetë plotësisht e arsyeshme dhe KMDLNj do të përkrah çdo protestë të natyrës sociale e cila është e pandikuar nga politika dhe e cila është në mbrojtje të interesit të qytetarit.

“Me shtrenjtimin aktual të rrymës po rrezikohet standardi i shtresave më të goditur nga varfëria të qytetarëve të Kosovës dhe po pamundësohet forcimi ekonomik i Kosovës përmes krijimit të lehtësirave për biznesin dhe po sillen në buzë të mjerimit të skajshëm dhe të padurueshëm pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës. Andaj, Qeveria e Kosovës duke mos i marrë në mbrojtje qytetarët e Kosovës dhe duke lejuar KEDS-in të bëjë ç’ të dojë është duke kontribuar të mbushen arkat e KEDS-it po kontribuon në përshkallëzimin e situatës dhe thellimin e mjerimit social.

Qytetarët e Kosovës duhet t’i kundërshtojnë këto fatura të fryra sikur edhe shtrenjtimin e rrymës duke mos i përjashtuar protestat e natyrës sociale deri te mospagimi i faturave kontestuese”, thuhet në reagim.

Sipas KMDLNj-së, është jonormale që faturat të rriten mbi 100% kur edhe muaji paraprak llogaritej me tarifa dimërore.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kmdlnj-qytetaret-te-protestojne-per-tarifa-te-larta-te-energjise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala