KMDLNJ: Presidente, mos i dekreto kandidatët politik për Gjykatë Kushtetuese

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga të mos i dekretojë kandidatë politik për Gjykatë Kushtetuese.

KMDLNj thekson se kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese, që nga faza e konkurimit, deri te votimi në Kuvendin e Kosovës.

“Muaj më parë ndonëse pati kandidatë shumë profesionist pati dështuar zgjedhja e gjyqtarëve të GJK pikërisht shkaku se kandidatët e preferuar partiakë nuk kishin marrë vota të mjaftueshme gjatë votimit në Kuvendin e Kosovës. Në këtë kontekst, KMDLNj pati reaguar duke kërkuar kritere për zgjedhjen e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese e që do të bëhej vetëm pas ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë mënyrë do të vlerësohej profesionalizmi dhe përvoja në fushën përkatëse, si kriter përcaktues, paanësia, pavarësia në marrjen e vendimeve, edhe si individ edhe si Gjykatë e që nënkupton eliminimin e ndikimit politik në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
KMDLNj-në thekson se është e papranueshme që të zgjidhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese kandidati që nuk ka përvojë gjyqësore.

“KMDLNj ka qenë dhe është kundër politizimit të Gjykatës Kushtetuese në ndërkohë që në dy votimet ( ai i parafundit që dështoi dhe ky i fundit që duhet të përsëritet) është përpjekje për të ndikuar politikisht në punën e Gjykatës përmes votimit të kandidatëve puro politik e që kanë qenë kandidat për zgjedhje për deputetë në zgjedhjet e fundit. Selvete Gërxhaliu – Krasniqi ka qenë kandidate e LDK-së për deputete prandaj zgjedhja e saj gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese do të ishte në kundërshtim me moralin, jo korrekte, konflikt interesi dhe interferim i drejtpërdrejtë politik”.

“Një kandidat që llogaritej i afërt apo pjesë e PDK-së, po në këtë garë konkurrimi për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese ndonëse në garën paraprake llogaritej si njëri ndër favoritët, ndershmërisht hoqi dorë nga intervistimi pikërisht se përfolej se është kandidat i një subjekti të koalicioni qeveritar – PDK-së. Kështu do të duhej të vepronte edhe znj. Selvete Gërxhaliu – Krasniqi”, thuhet në komunikatë e Këshillit…

“KMDLNj nuk ka informacione se kandidatja Gresa Cakaj – Nimani ka qenë anëtare apo ka pasur post në një subjekt politik por, sa i përket aspektit profesional ajo është e pakontestueshme dhe më e kompletuar dukshëm se kandidatët tjerë. Për këtë arsye, KMDLNj kërkon nga presidentja e Kosovës të mos e dekretojë znj .Selvete Gërxhaliu – Krasniqi për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese pikërisht se votimi është mbështetur politikisht dhe partiakisht dhe në një mënyrë është ditur epilogu i votimit (në raundin e dytë) duke i diskriminuar kandidatët tjerë të cilët kanë shërbyer vetëm si numra për përmbushjen e aspekteve procedurale e që do të garantonte rregullsinë e procesit, që nga konkurrimi deri te votimi”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

KMDLNj nuk e konteston profesionalizmin e Selvete Gërxhaliu–Krasniqi, por e konteston sfondin ekskluzivisht politik dhe partiak të votimit të saj. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kmdlnj-presidente-mos-i-dekreto-kandidatet-politik-per-gjykate-kushtetuese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala