KMDLNJ kërkon hetimin e atyre që rrënuan rrethojat e varrezave katolike

Të dielën në mëngjes persona të paidentifikuar shkatërruan rrethojat e varrezave katolike në Llapushnik ku, përveç varrezave ishte paraparë të ndërtohet një objekt fetar për katolikë. Ky lokacion prej 2, 5 hektarësh ishte blerë nga famullia katolike pasi që më parë ishte shpronësuar nga komuna e Drenasit e cila i kishte dhënë të drejtë AKP – së ta shesë atë pronë.
Procedurat e Shpronësimit ishin kundërshtuar nga disa asamblistë komunalë të cilët kanë deklaruar se nuk janë përfillur procedurat për shpronësim.
Në lokacionin e shpronësuar, komuniteti katolikë ka për qëllim të ndërtojë një kishë katolike dhe varrezat për katolikë ndërsa banorët e tjerë duan që aty t’i ndërtojnë lapidarët për dëshmorë të kombit. Ditë më parë nga banorët ishte organizuar një protestë që kundërshtonte ndërtimin e varrezave katolike dhe objektit fetar në lokacionin e paraparë për këtë.
KMDLNj kërkon që të tejkalohet situata e krijuar pa tensione të panevojshme, duke respektuar lirinë e besimit dhe të ushtrimit të fesë sipas bindjeve dhe përcaktimit që është e drejtë elementare e njeriut, e garantuar me të gjitha dokumentet relevante për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës.
“KMDLNj kërkon hetim të shpejtë për ata që rrënuan rrethojat e varrezave katolike si dhe përballjen e tyre me ligj”, thuhet në komunikatë.
KMDLNj shpreson se ky incident nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e mira midis besimtarëve të besimeve të ndryshme dhe se në Kosovë edhe në të ardhmen do të kemi përparim të tolerancës fetare, duke e mirëkuptuar dhe respektuar diversitetin edhe në këtë fushë.
Gjithashtu KMDLNj shpreson se komuna e Drenasit do ta caktojë një lokacion për ndërtimin e lapidarëve për dëshmorët e kombit, e cila nuk duhet të ndërlidhet apo kushtëzohet me kërkesat e komunitetit katolikë. /Telegrafi/