Klosi: Pajisja e padukshme që përgjoi Presidentin Nishani

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka zbardhur skemën se si mund të jetë përgjuar Kreu i Shtetit, Bujar Nishani.

Ish-kreu i spiunazhit shqiptar sqaron se janë dy versione për përgjimin e bisedave; vendosja e telave në mure ku përgjimi bëhet në një godinë tjetër dhe me anë të çimkave të vogla e të padukshme, të cilat mund të vendosen poshtë tavolinës dhe kudo.

Fatos Klosi, sqaron se, versioni i dytë është ai që përdoret në ditët e sotme, pasi çimkat me bateri janë mënyra më e lehtë dhe më e thjeshtë për të përgjuar dikë.

Ish-kreu i SHISH hedh poshtë versionin e përgjimit stacionar, të vendosjes së pajisjes së përgjimit në ambazhur apo në muret e Presidencës.

Sipas Klosit, kjo mënyrë përgjimi aplikohej dikur dhe përbën rrezik e përgjegjësi shumë të madhe për personin që mund të vendosë tela përgjimi nëpër mure.

Fatos Klosi sqaron se, nëse Nishani është përgjuar, çimka është vendosur nga njerëz të stafit të tij poshtë tavolinës apo diku në një hapësirë tjetër, e cila lehtësisht mund të merret pas dy javësh për të parë e dëgjuar atë çka ka regjistruar.

“Pajisjet e përgjimit nuk janë më stacionare, siç kanë qenë dikur. Tani janë bërë aq të vogla, me bateri dhe mund të vihen kudo, dhe nuk ka nevojë të vihen tela nëpër mure. Është me shumë rrezik që dikush të vendosë gjëra të tilla.

Sot mund të hyhet në zyrë, e lë aty pajisjen e përgjimit dhe mund ta marrësh pas dy javëve. Një mikrofon mikroskopik, përshembull, që mund të kujdesesh për të nga ana elektronike, vendos diku. Një njeri që ka akses në atë zyrë, mund ta bëjë”, sqaroi Fatos Klosi.

Megjithatë, Klosi hedh dyshime nëse Nishani vërtet është përgjuar, pasi deri më tani nuk kemi një deklaratë nga Presidenca. “Nishani vetë nuk po deklarohet, mbase nuk ka gjetur gjë”,tha Klosi.

Përgjimi

Ish-shefi i spiunazhit shqiptar ka hedhur edhe dyshime në vendosjen e pajisjes së përgjimit në ambientet e Presidencës, pasi siç e argumenton Klosi, ky institucion nuk ka sekrete që mund t’i interesojnë një faktori të brendshëm apo të jashtëm.

Klosi i bën thirrje Nishanit që të ngrejë një kallëzim penal në Prokurori nëse mendon vërtet se e kanë përgjuar, për të zbuluar personin apo grupin e përgjimit.

“Aq sa e njoh unë institucionin e Presidencës, nuk di të ketë sekrete të tilla që, po i mori vesh njeri, i prish punë. Presidenti nuk nxjerr urdhra, nuk merr vendime. Ndoshta, Nishani, mund të ketë përgjuar veten!

Megjithatë, ai le të marrë masa, të verë në lëvizje Prokurorinë për të zbuluar personin që ka interes ta përgjojë. Nishani është mësuar të ankohet. Nuk e di se nga kush ankohet! Nuk e di se kush mund ta ketë përgjuar”, u shpreh Klosi.

Ish-kreu i SHISH përjashtoi mundësinë që pas përgjimit të Nishanit të mund të fshihet dora e shërbimeve të huaja.

Edhe deputetë të Komisionit parlamentar të Sigurisë hedhin dyshime për përgjimin e Nishanit, ndërsa aludojnë se ankesat për survejim të jetës familjare dhe private janë haluçinacione të Kreut të Shtetit ose strategji e tij për të qenë në qendër të vëmendjes./SOT/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/klosi-pajisja-e-padukshme-qe-pergjoi-presidentin-nishani/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala