Klientelizmi, fenomen shqetësues për Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Duke qenë një dimension alternativë i qeverisjes, Klientelizmi është një fenomen shqetësues për qeverisjen lokale dhe qendrore në Kosovë. Madje, në disa raste mund të cilësohet më i rrezikshëm se sa korrupsioni për funksionimin normal të shtetit. Kështu ka theksuar Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, gjatë Modulit të Tretë, të Akademisë për Qeverisje Lokale, i cili u mbajt në Durrës për tri ditë radhazi, ku morën pjesë përfaqësuesit e disa komuanve, zyrtarë të Auditorit Gjeneral si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Tahiri ndër të tjera ka theksuar se nuk mjaftojnë vetëm rregullat për luftimin e klientelizmit. “Një rol të madh në këtë drejtim duhet ta luajnë edhe shoqëria civile dhe mediet. Kemi shembuj nga vendet si Kroacia, ku këto dy segmente, kanë luajtur një rol shumë të madh, që ky shtet të anëtarësohet edhe në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Tahiri.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KLGI-së, Besnik Tahiri e ka prezantuar edhe një hulumtim të këtij instituti për instalizimin e klientelizmit në vendin tonë. Sipas këtij hulumtimi, është arritur në përfundimin se “klientelizmi, në Kosovë është shndërruar në një alternativë qeverisëse”.

Në Modulin e tretë të titulluar “Formulimi i Politikave Publike dhe Zhvillimi Ekonomik Lokal”, një kontribut e kanë dhënëedhe drejtori ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Agron Maxhuni, i cili e paraqiti kornizën ligjore tëorganizimit dhe të funksionimit të Qeverisjes Lokale. Maxhuni ka potencuar si shumë të rëndësishëm për funksionimin e Qeverisjes Lokale, bashkëpunimin ndërkomunal.

Ndërsa, njohësi i integrimeve evropiane, Fatmir Haxholli para pjesëmarrësve të Akademisë për Qeverisje Lokale, ka shpjeguar rëndësinë e madhe që e kanë strategjitë zhvillimore të komunave.
Haxholli është përqëndruar në rolin e madh që ka mënyra e hartimit të strategjisë dhe zbatimi i saj në praktikë. “Nëse një strategji do të mbetet vetëm në letër, dhe nuk do të jetë e implementueshme, efekti i saj do të jetë zero. Thjesht, do të humbet kohë, energji dhe përdorim jo i duhur i burimeve njerëzore, që ka edhe implikime buxhetore”, ka theksuar Haxholli.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, dhe njëherësh drejtor ekzekutiv i “Besa Consullting”, Bajram Fusha ka shpjeguar për rolin që kanë komunat për zhvillimin ekonomik dhe për Zonat e Lirë Ekonomike.

“Kosova nuk ka zona të lira ekonomike. Edhe pse Qeveria ka marrë vendim që të shpallë Zona të Lira Ekonomike, si Gjakovën dhe Mitrovicën, mirëpo ato nuk mund të quhen zona të tilla”, ka theksuar ai.

Moduli i tretë i Akademisë për Qeverisje Lokale, i organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale u mbajt në Durrës nga 19 deri më 21 nëntor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/klientelizmi-fenomen-shqetesues-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala