Kjo është shuma që duhet paguar për automjetet me targa të Kosovës të cilat hyjnë në Serbi

Autori:Avdyl Pajaziti

Sigurimi i automjeteve me targa të Kosovës që futen në Serbi, nga 1 gushti, do të kushtojë 40 euro për një vit, për dallim me shumën prej 100 euro sa është aktualisht.

Rrahim Pacolli, kryesues i delegacionit teknik kosovar për çështjen e sigurimeve në bisedimet Kosovë-Serbi, duke folur për marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ka thënë për lajmi.net se kjo marrëveshje do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm, duke mos paguar asnjë lloj pagese shtesë.

Sipas tij, sigurimi i quajtur “TPL plus” që qytetarët e Kosovës aktualisht e përdorin për vendet tjera të rajonit, po i njëjti, do të vlejë edhe për territorin e Serbisë, shuma e të cilit është 40 euro për periudhë një vjeçare.

“TPL plusi e mbulon aktualisht Maqedoninë, Shqipërinë dhe ai TPL plus do të mbulojë edhe territorin e Serbisë. Të njëjtën shumë të cilën qytetaret e Kosovës duhet të paguajnë për të hyrë në Maqedoni duhet të bëhet edhe për në Serbi” shtoi Pacolli.

Ai këtë e vlerësoi si një hap shumë të madh për qytetarët e Kosovës dhe asaj të Serbisë, përfshirë këtu edhe shqiptarët në luginën e Preshevës.

Kjo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel, sipas Pacollit, do të lehtësojë që brenda këtij viti Kosova të bëhet pjesë e kartonit të gjelbër, por ai vlerëson se duhet plotësuar disa kushte.

Marrëveshja për lëvizje të lirë në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u nënshkrua të martë, erdhi si rezultat i disa përpjekjeve të dështuara të palës kosovare. Ndonëse bisedimet për këtë çështje kanë nisur muaj më parë, ishte pala serbe ajo që prolongonte nënshkrimin e një marrëveshje e cila do t’i lironte qytetarët nga dy shtetet të udhëtojnë në vendet respektive pa pagesa shtesë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kjo-eshte-shuma-qe-duhet-paguar-per-automjetet-me-targa-te-kosoves-te-cilat-hyjne-ne-serbi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala