Kjo është akuza për korrupsion ndaj Limajt dhe grupit të tij

Autori:Avdyl Pajaziti

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përfundimisht ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit, Fatmir Limaj, dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë nga koha kur ai ka qenë ministër. Aktakuza e ngritur përfshin hetimin e pesë tenderëve që janë dhënë gjatë viteve 2008-2010. Në pesë tenderë, sipas prokurorisë, ka pasur elemente korruptive.
Ndryshe nga aktakuza e kaluar, në aktakuzën e konsoliduar nuk janë të përfshirë edhe dy vëllezërit e Fatmir Limajt, Demiri dhe Florimi.

Të dy këta të fundit, kanë qenë pjesë e aktakuzës së mëhershme së bashku me Fatmir Limajn e ish-zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomit, ndërsa dyshoheshin për “Korrupsion” e vepra të tjera penale të kryera në kohën sa Fatmir Limaj ka qenë ministër, por tashmë nuk figurojnë në aktakuzë.

Hetimet për “Korrupsion” ndaj ish – ministrit, tashmë kryetar i partisë politike Nisma për Kosovën, patën filluar në vitin 2009. Pas dy aktakuzave të ngritura, të hënën e kësaj jave prokurori i EULEX-it, në kuadër të Prokurorisë Speciale të REpublikës së Kosovës, e ka ngritur një aktakuzë të konsoliduar.

Në të përveq Limajt, përfshihen edhe ish – shefi i kabinetit të tij, Endrit Shala, ish – shefi i prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqi, ish – truproja e tij, Shpetim Telaku, si dhe biznesmeni, Florim Zuka.

Aktakuza

Sipas aktakuzës, një kopje të së cilës e posedon gazeta “Zëri”, ish-ministri Limaj dhe të tjerët, akuzohen për veprën penale të “Krimit të organizuar” dhe atë të “Shpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Limaj, Krasniqi e Shala akuzohen edhe për “Marrje të ryshfetit”, derisa për veprën penale të “Dhënies së ryshfetit” akuzohet pronari i kompanisë “Tali” në Gjilan, Florim Zuka. Ky i fundit akuzohet edhe për veprën penale të “Keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi”, derisa ish ministri Limaj pritet të përgjigjet edhe për vepra të tjera penale që kanë të bëjnë me mosdeklarimin e parave të pranuara gjatë fushatës zgjedhore.

“Qëllimi i këtij grupi të organizuar kriminal ka qenë që t’u jepen kontrata të favorshme për ndërtimin e rrugëve, ku tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve u janë dhënë kompanive të ndërtimit të rrugëve me premisën që një pagesë në shumën prej 20 për qind nga vlera e përgjithshme e kontratave të bëhet për këtë grup të organizuar kriminal”, thuhet mes tjerash në aktakuzën e ngritur të hënën.

Pjesëtarët e këtij grupi kriminal, sipas Prokurorisë, kanë pasur lidhje familjare ose shoqërore me Fatmir Limajn dhe të njëjtit i janë referuar si “daja”, “bosi” e “shefi”.

Shefi i dikurshëm i kabinetit në MTPT, Endrit Shala, sipas aktakuzës ka shërbyer si sekser dhe ka qenë dora e djathtë e Fatmir Limajt.

Shala sipas aktakuzës ka qenë i përfshirë në ryshfete së bashku me Flrim Zukën, derisa Nexhat Krasniqi, sipas aktakuzës, i ka kontrolluar manipulimet e procedurës së prokurimeve. Truproja i Limajt, Shpetim Telaku, sipas aktakuzës, i ka aranzhuar takimet në mes Limajt dhe ndërmjetësve të kompanive të ndërtimit edhe atë para dhe gjatë proceseve përkatëse të tenderit. /Zëri

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kjo-eshte-akuza-per-korrupsion-ndaj-limajt-dhe-grupit-te-tij/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala