Kina, “shopping” rekordesh në SHBA

Autori:Gazeta Fjala

Nëse gjithçka shkon si duhet, kjo do të ishte blerja më e madhe kineze në tregun amerikan. Kompania kineze Tsinghua Unigroup ka shfaqur interes për të blerë amerikanen Micron Technology (e cila prodhon chip për memorien) për 23 miliardë dollarë. Lajmi bëhet i ditur nga Wall Street Journal, e cila citon disa burime të besueshme, sipas të cilave kompania më e madhe kineze e mikroprocesorëve e kontrolluar nga shteti ka vendosur në “pjatë” 21 dollarë për çdo aksion të Micron.

Në vitin e fundit, aksionet e kompanisë amerikane kanë humbur pothuajse 50% vlerën e tyre. Micron është një kompani e fortë në prodhimin e memorieve DRAM dhe është “gjiganti” i fundit i këtij sektori në SHBA, si dhe numri dy pas koreanit Samsung.

Sipas burimeve të Wsj, kompanisë Micron i është shpjeguar me anë të një letre interesimi i Tsinghua-s, por nga ana kompanisë amerikane nuk janë dhënë detaje.

Megjithatë, e përditshmja amerikane ngre dyshime sa i përket ecurisë që duhet të ndiqet për autorizimin e këtij operacioni. Çështja do të duhet të trajtohet edhe nga Komiteti i Investimeve të Huaja që duhet të ulë në një tryezë ekspertë dhe funksionarë të shumë agjencive dhe institucioneve. Në krye të çështjeve të kësaj agjencie është pyetja: A rrezikohet siguria kombëtare?

Në çdo rast do t’i shtohej një liste që parashikon edhe operacione të tjera, si me Nexen, Rio Tinto e italianen Pirelli. Sipas Wsj, operacioni është strategjik për qeverinë kineze, që po synon të fusë në “shtëpi” një gjigant të sektorit të pajisjeve, thelbësor për zhvillimin e industrisë së teknologjisë dhe smartphone-ve.

Në segmentin e “memories”, Kina ka dobësi, ndaj edhe për këtë arsye janë intensifikuar përpjekjet për të bërë një blerje të tillë strategjike./ Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kina-shopping-rekordesh-ne-shba/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala