Kina “nuk ka frikë të luftojë” kundër SHBA-ve

Autori:Gazeta Fjala

Kina nuk i frikësohet një lufte të mundshme kundër Shteteve të Bashkuara në detin e Kinës Jugore, pretendon një gazetë shtetërore që ka lidhje me Partinë Komuniste në pushtet.

24 orë pasi Uashingtoni sfidoi pretendimet territoriale të Pekinit në rajonin e detit të Kinës Jugore, duke dërguar një anije luftarake në ujërat përreth arkipelagut të shumëpretenduar Spratly, media tejet nacionaliste “Global Times” akuzoi Pentagonin për provokim ndaj Kinës.

“Përballë ngacmimeve të SHBA-ve, Pekini duhet të sillet me takt ndaj Uashingtonit dhe të përgatitet edhe për më të keqen”, argumentonte gazeta në një editorial të së mërkurës. “Kjo mund të bindë Shtëpinë e Bardhë se Kina, pavarësisht mosgatishmërisë së saj, nuk është e frikësuar për të zhvilluar një luftë me SHBA-në në atë rajon dhe është e vendosur për të mbrojtur interesat e saj kombëtarë dhe dinjitetin mbi të gjitha”.

E përditshmja “Ushtria Çlirimtare Popullore”, gazeta më e ndjekur ushtarake në Kinë, shfrytëzoi një editorial në kopertinën e saj për të akuzuar SHBA-të se po krijon tensione dhe kaos në vende si Afganistani dhe Iraku.

“Faktet e pakundërshtueshme tregojnë se SHBA-të, siç edhe këtë herë, kanë përdorur forcën ndoshta nga pakujdesia dhe kanë nisur luftëra, duke nxitur trazira aty ku dikur ka pasur stabilitet, e duke u shkaktuar dëme të pariparueshme vendeve të përfshira drejtpërdrejt”, shkruhet në artikullin e gazetës kineze.

Manovrat e së martës, ku u pa një anije luftarake shkatërruese “USS Lassen” të lundronte shumë pranë ishujve artificialë të pretenduar nga Kina, vijnë pasi Barack Obama dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping dështuan të gjenin një terren të përbashkët për zgjidhjen e kësaj çështjeje, gjatë bisedimeve të fundit të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter paralajmëroi se “edhe operacione të tjera në kuadër të lirisë së lundrimit” do të zhvillohen në rajonin në fjalë. “Do të ngrejmë avionë në fluturim, do të lundrojmë me anije dhe do të operojmë kudo ku e lejojnë ligjet ndërkombëtare”, tha ai përpara një dëgjese në Kongresin amerikan./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kina-nuk-ka-frike-te-luftoje-kunder-shba-ve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala