Kim Mehmeti tregon përse e përkrahë Lëvizjen Besa

Autori:Zekirja Shabani

Në një postim në faqen e tij në rrjetin Social Facebook, publicist dhe gazetari Kim Mehmeti ka treguar hapur arsyet përse e përkrah Lëvizjen Besa në Maqedoni.

Ai ka thënë se i përkrahë të rinjët e kësaj lëvizje “ngaqë dua ta pastrojmë oborrin tonë politik nga këta leninistë e hajdutokratë të qelbur të BDI-së e të PDSH-së, të cilët baltosën e shkatërruan çdo gjë të vlefshme që kishim…”

Akuzave se përfaqësuesit e Lëvizjes Besa janë “islamist të rrezikshëm, ai u është përgjigjur duke pyetur se, ç’të keqe ka të jesh mysliman i devotshëm që i lutet Zoti në xhami dhe njëkohësisht shqiptar i pathyeshëm?

Lexojeni të plotë deklaratën e Kim Mehmetit:

“Shumë miq të kësaj faqeje më pyesin nga kjo simpati e ime ndaj Lëvizjes Besa! Ngaqë nuk turpërohem nga asnjë veprim imi publik, ngaqë bëjë të pamundurën ta ndaj angazhimin tim profesional nga përcaktimet e mia qytetare e njerëzore, ja po ua them shumë hapur: dua t’i ndihmojë të rinjtë e kësaj Lëvizjeje, ngaqë jam i provokuar nga e vërteta se kryesuesit e BDI-së e të PDSH-së, si dhe disa individ ‘opozitarë’ të dalë nga kapotat e këtyre dy partive, kudo që shkojnë, nëpër ambasada të huaja si dhe në Tiranë e Prishtinë, i akuzojnë themeluesit e rinj të kësaj Lëvizjeje si ‘islamistë të rrezikshëm’ e ‘erdoganistë të shitur’.

Pra, i përkrahë ngaqë dua ta pastrojmë oborrin tonë politik nga këta leninistë e hajdutokratë të qelbur të BDI-së e të PDSH-së, të cilët baltosën e shkatërruan çdo gjë të vlefshme që kishim, të cilët lejuan ndërtimin e ‘Gazës’ shqiptare në mes të Shkupit, që na çuan nga ‘Sopoti’, “Brodeci’, “Monstra’, lukidimi i Harun Aliut e deri te nata e tmerrshme e Kumanovës, e asnjëherë nuk ndjen as turp as përgjegjësi dhe kurrë nuk u pengoi pse parajsën e pasardhësve të vet, e ndërtonin në tokën e ferrit të fëmijëve tanë!

Po unë dua që me vogëlsinë time, t’i ndihmojë të rinjtë e Lëvizjes Besa që të mos dorëzohen përpara provokimeve e baltosjeve që ua bëjnë kryesuesit e BDI-ë e të PDSH-së, këta ‘perëndimorë’ që hajninë, pafytyrësinë, gënjeshtrën dhe papërgjegjësinë, i ngritën në ‘vlera’ më të larta demokratike, këta të cilët nëse nesër selia e BE-së dhe NATOS do të shpërngulej në Stamboll, ata do ishin të parët që do e shanin Brukselin!

Pra, me vogëlsinë time, dua t’i ndihmoj këta të rinj që të mos ndjehen inferior ndaj askujt dhe me mburrje ta shtrojnë pyetjen: ç’të keqe ka të jesh mysliman i devotshëm që i lutet Zoti në xhami dhe njëkohësisht shqiptar i pathyeshëm, që gjitha aftësitë që ka, i flijon në altarin e mirësisë së vëllazërisë shumëfetare shqiptare!?” (Kim Mehmeti)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kim-mehmeti-tregon-perse-e-perkrahe-levizjen-besa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala