KFOR-i kërkon sjellje etike gjatë varrimit të Isa Boletinit

Autori:Avdyl Pajaziti

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë kërkuar qetësi dhe mbajte të rendit publik gjatë rivarrimit të mbetjeve mortore të Isa Boletinit.

Përmes një komunikate për media, Zyra për marrëdhënie me publikun, në kuadër të forcave paqeruajtëse, ka shkruar se është e rëndësishme që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë ceremoni të mbajnë një sjellje “të përgjegjshme dhe të pjekur”.

“Duke vepruar kështu, ata do të ndihmojnë KFOR-in në kryerjen e detyrës e vet, në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës”, shkruhet në komunikatë.

Aty bëhet e ditur se KFOR-i nuk do të përcjellë eshtrat e Heroit Kombëtar në fshatin Boletin, më 10 qershor.

“Në përputhje me mandatin e vet dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, KFOR-i do të jetë gati për të ndërhyrë si përgjegjës i tretë, nëse kërkohet nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i dhe gjatë ceremonisë së rivarrimit do të mbajë një qëndrim diskret e të fuqishëm”, shkruhet në komunikatë.

Gjatë javës ishte raportuar që rivarrimi i mbetjeve mortore të Isa Boletinit do të bëhej pa praninë e Forcave të Sigurisë së Kosovës në fshatin Boletin që është në veri të Mitrovicës. Këtë e kanë konfirmuar edhe forcat paqeruajtëse.

“Bartja e eshtrave nga stadiumi i Mitrovicës për në fshatin Boletin do të eskortohet nga Policia e Kosovës, ndërsa Komandanti i KFOR-it nuk do t’i autorizojë Forcat e Sigurisë së Kosovës për të lëvizur në territorin e komunave veriore”, shkruan në komunikatë.

Në mbledhjen e së martës së kësaj jave, Këshilli organizativ për rivarrimin e mbetjeve mortore të Isa Boletinit, ka marrë vendim që rivarrimi të bëhet në Boletin e jo në Vlorë, siç ishte caktuar më 13 maj.

Punimet në Boletin kanë nisur qysh në fund të vitit të kaluar, kur ceremonia e rivarrimit, e paraparë për 28 nëntor të atij viti, ishte shtyrë për janarin e sivjetmë.

Parashihet që rrugëtimi i mbetjeve mortore të fillojë nga Vlora, më pas mbetjet mortore do të qëndrojnë në Prizren e prej aty në Deçan.

Në Isniq do të qëndrojnë për një ditë, për të vazhduar në Prekaz, Prishtinë e më pas në Mitrovicë, përcjell Koha.net.

Më datën 10 qershor do të fillojë ceremonia shtetërore në stadiumin “Adem Jashari”.

Këshilli organizativ i ceremonisë ka kërkuar 100 mijë euro nga Qeveria e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kfor-i-kerkon-sjellje-etike-gjate-varrimit-te-isa-boletinit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala