Këto vende të Kosovës përgjohen nga Serbia

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria serbe dhe shërbimi i saj i sekret BIA, po përgjojnë aktualisht mbi 400 qytetarë të Kosovës, nga të gjitha sferat e jetës, që nga politika e deri tek personat e dyshuar se merren me krim.

Sipas një burimi të portalit ‘tesheshi.com’ për këtë punë qeveria e Beogradit në muajin tetor të vitin 2012 ka ndarë mbi 1 milion euro për pajisje përgjimi, me kërkesë pra të BIA-s.
Burimi saktëson më tej se për çfarë pajisjesh bëhet fjalë dhe se në ç`vende janë vendosur ato.

“Janë vendosur në fshatin Kurillov të komunës së Zubin Potokut, ku kompania ‘Tekelom Srbija’ mbulon me sinjal telefonik një pjesë të madhe të komunave të Dukagjinit.

Po ashtu, në kodrën e ‘Brankut’ përmbi Liqenin e Gaziviodës ku antenat e ‘Telekom Srbija’, mbulojnë me sinjal tërë komunën e Zubin Potokut si dhe një pjesë të qytezës së vogël të Serbisë pra Ribariqit.

Në kodrën e ashtuquajtur ‘Matice’, përmbi Zveçan, ‘Telekom Srbija’, përmes valëve direkt nga malet e Kopavnikut, mbulon me sinjal Mitrovicën dhe Zveçanin si dhe në bregun mbi qytezën e Leshakut , ku antenat e ‘Telekom Srbije’, mbulojnë me sinjal tërësisht Leshakun dhe Leposaviqin”, thotëburimi i portalit.

Këto pajisje quhen ASC dhe BIA i ka blerë në Amerikë.

Pajisjet kanë aftësinë që të skanojnë dhe përcjellin të gjitha bisedimet e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por përdoren edhe për përgjime të civilëve”, ka thënë burimi i portalit, që shton se se ndër pajisjet janë dhe 35 kamera, të cilat qeveria serbe dhe BIA ia ka dhënë në shfrytëzim firmës të sigurimit private ‘SOKO’, në veri të Mitrovicës, e cila është pronë e vëllezërve Sllavoljub dhe Nebojsha Joviq, të njohur me nofkat ‘Pagi’ dhe ‘Crni’.

“’SOKO’ me kamerat e saj ka mbuluar kontrollin e të gjitha rrugëve kryesore në veri të Mitrovicës, por me theks të veçantë kanë mbuluar rrugët ‘Car Dushan’ e cila nga ‘Lagja e Boshnjakëve’ të shpie për tek shkolla teknike në veri të Mitrovicës”, ka pohuar burimi.

Po, ashtu me kamera, ‘SOKO’, ka mbuluat tërësisht edhe kontrollin nga ura kryesore e lumit Ibër, kafiteria ‘Dolcevita’ e deri në fshatin Suhodoll, pra e tërë rruga përgjatë lumit Ibër në veri.

“’SOKO’, sigurimi disa kamera i ka vendosur edhe brenda vetë ‘Lagjes së Boshnjakëve’, në lagjen “Kodra e Minatorëve”, si dhe në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, pra në vendet me popullatë të përzierë me qëllim vëzhgimin 24 orë të personave që kanë frekuentuar atë pjesë”, ka thënë burimi i portalit ‘tesheshi.com’.

Sipas burimit, pajisjet në përgjithësi janë të fjalës së fundit të teknologjisë, që është e aftë që të incizojë çdo bisedë të çdo individi, që përmend fjalët kritike si bomba, armë, drogë, KFOR, EULEX, Polici etj .

“Firma e sigurimit fizik ‘SOKO’, e cila me kamera mbulon dhe incizon çdo lëvizje apo incident në tërë veriun e Mitrovicës, shpeshherë për ndonjë incident ka njoftuar Policinë e Kosovës në veri por asnjëherë Policisë së Kosovës nuk i ka lejuar qasje në këto incizime”, ka nënvizuar burimi i portalit.

Burimi shton më tej: “Policia e Kosovës nuk ka qasje në këto kamera që janë instaluar e as në përgjimet e qytetarëve sepse operatorët softuerik serb nuk i japin IP-të strukturave të sigurisë së Kosovës, pasi që këtë nuk e lejon “Telekom Srbija’, Qeveria e Serbisë dhe BIA”. /tesheshi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keto-vende-te-kosoves-pergjohen-nga-serbia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala