Këto janë vendet më atraktive, sipas turistëve që kanë vizituar Prishtinën (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Muzeu Etnologjik është vendi që rangohet i pari si një atraksion që duhet parë patjetër në Prishtinë.

Në Tripadvisor, turistët që e kanë vizituar kryeqytetin kosovar këtë muze e quajnë të shkëlqyer, raporton emisioni “038”. Kompleksi i banimit “Emin Gjiku” gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, në verilindje të përfundimit të qendrës aktuale të qytetit, afër hamamit të madh dhe xhamisë së “Sulltan Mehmet Fatihut”.

“Pjesa më e bukur e Prishtinës. Vend ku mund të huazosh një biçikletë, të ecësh nëpër male apo të pish kafe në lokalet me çmime të lira. Ka edhe një pishinë gjigante e lojëra për fëmijë”, kështu e vlerësojnë të huajt parkun e Gërmisë, e cila nuk e ka asnjë koment të keq.

“E shëmtuar, por në të njëjtën kohë tërheqëse, interesante dhe unike”. Debati për dukjen e Bibliotekës Kombëtare e bën atë njërin ndër tri vendet më të komentuara nga të huajt.

Por, objekti i katedrales “Nëna Terezë” nuk ka pasionuar turistët. Komenti kryesor i tyre është që objekti nuk është i përfunduar, ka karrige të papërshtatshme, veçse ka diçka të mirë: dukjen nga lartë, prej ku duket tërë Prishtina.

Ideja e ngjyrosjes çdo 17 shkurt, bën që për çdo vit monumenti “NewBorn” të jetë atraksion për turistët, të cilët e vlerësojnë më shumë idenë e ndërrimit të ngjyrave se sa vetë objektin.

Komente mesatarisht mbresëlënëse ka për shtatoren e Skënderbeut. Disa thonë që është vetëm një shtatore, e të tjerë që është heroi më i madh i shqiptarëve. Shumë nga ta megjithatë vlerësojnë se Skënderbeu është një vendtakim apo orientim i mirë për t’u gjetur në sheshet e kapura në një shesh.

Në botë ka xhami më të mëdha e më të bukura, por për Prishtinën më tërheqësja mbetet Xhamia e Madhe. Turistët që e radhisnin atë të shtatën nga 33 objekte në kryeqytet, vlerësojnë oborrin, brendësinë e objektit, si dhe afërsinë e kujdestarit të xhamisë, i cili i fton të gjithë turistët të hyjnë brenda dhe të përcjellin edhe faljen e namazit.

Që renovimet e restaurimet në Kosovë zgjasin shumë e kanë vë re edhe turistët. Ata që kanë parë Muzeun e Kosovës vlerësojnë paraqitjet e luftës së fundit e shumë të tjerë shprehën të zhgënjyer që nuk kanë mundur të shohin asgjë nga renovimet e stërzgjatura.

Tregu i Gjelbër për turistët duket sikur i Afrikës. Sipas tyre, ai nuk ka pamje tradicionale dhe mund të quhet treg i prodhimeve kineze, transmeton Koha.net. “Aty ia vlen të blihen vetëm pemë”.

Ndërsa, për statujën e Bill Clintonit thonë: “Ia vlen të bësh një selfie me të”!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keto-jane-vendet-me-atraktive-sipas-turisteve-qe-kane-vizituar-prishtinen-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala