Këto janë parregullsitë e Komunës së Podujevës

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka paraparë se në Komunën e Podujevës ka një numër të madh parregullsish kur kemi të bëjmë me pasurinë.

Dy çështjet e para që Auditori i ka paraqitur si problematike, janë: klasifikimi i shpenzimeve në kode jo adekuate dhe mungesa e regjistrimit të pasurisë së komunës, raporton Indeksonline.

Sipas këtij Auditori, në vitin 2014 nuk ishin regjistruar në regjistrin kontabël dhe nuk ishin prezantuar në Pasqyrën Vjetore Financiare (PVF) blerjet në vlerë prej 458,142 euro.

Klasifikim të gabuar të shpenzimeve ka pasur edhe në pagesat e mallrave dhe shërbimeve që kapin vlerën prej 54,373 euro.

“Të shënimi 30 përmbledhje e pasurive jo financiare kapitale, pasuria e paraqitur me vlerë mbi 1,000€, në PVF është me vlerë neto 71,597,862€. Ne kemi identifikuar pasuri që janë blerë gjatë vitit 2014 në vlerë 458,142€ të cilat nuk ishin regjistruar në regjistrin kontabël dhe nuk ishin prezantuar në PVF. Komuna, gjithashtu, kishte bërë klasifikim të gabuar të shpenzimeve, ku nga kategoria e investimeve kapitale kishte paguar për mallra dhe shërbime vlerën prej 54,373€”, deklaron Auditori i Përgjithshëm, raporton Indeksonline.

Në emër të Komunës së Podujevës, për vitin 2014 Thesari ka ekzekutuar pagesa sipas vendimeve gjyqësore në vlerë prej 170,781€, ndërsa sipas nenit 39.2 të LMFFP ishin ekzekutuar 42,676€.

Arsyeja pse ka ardhur deri tek kjo formë e pagesave, sipas Auditorit është për shkak të moskryerjes me kohë të obligimeve, të cilat kanë rezultuar me padi gjyqësore, apo pas kërkesave të operatorëve që Thesari të kryej pagesat e vonuara. Rreziku i saj mund të çojë në çrregullime të bilancit buxhetor, si dhe objektivat e planifikuara të mos realizohen.

Sa i përket të hyrave vjetore në Podujevë, Auditori ka paraparë shifrën prej 1,199,576 euro, duke i përfshirë: Të hyrat nga tatimi në pronë; Të hyrat nga taksa për regjistrimin e automjeteve, Të hyrat nga lejet e ndërtimit, etj.

Nga pronat e dhëna me qira, komuna kishte planifikuar që të realizoj 60,000€, ndërsa ishin realizuar 42,975€, apo 72% e planifikimit. Por, dobësitë janë shfaqur në disa raste, ku komuna përmes ankandit publik kishte dhënë me qira një lokal afarist 76m² ku kriter për dhënie të lokalit ishte që përfituesi eventual ta bëjë parapagimin e qirasë për 6 muajt e parë, para se të nënshkruhet kontrata. Auditori në këtë rast kishte identifikuar se pagesa është bërë vetëm për tre muaj dhe atë pasi që është lëshuar kontrata.

Rasti tjetër i dobët i komunës është sepse nuk ka ndërmarrë asnjë masë kur në dy raste qiramarrësit nuk e kishin paguar borxhin prej 13,870 euro.

“Në dy raste qiramarrësit gjatë vitit 2014 nuk kishin bërë asnjë pagesë dhe borxhi total ndaj komunës arrin vlerën prej 13,870€. Komuna nuk kishte ndërmarrë masa që t`i obligojë këta shfrytëzues që t‟i kryejnë obligimet e tyre sipas kontratës”, sqaron Auditori, raporton Indeksonline.
Podujeva është treguar e dobët edhe në rastin e “Ndërtimit të shtëpive për banim për rastet sociale”, ku ishte paraparë të jepen 110,816 euro, ndërsa ishin dhënë vetëm 100,000.

Raste tjera të shkeljeve ligjore të Komunës së Podujevës ka pasur edhe në marrëveshjen që kjo e fundit kishte bërë me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) për renovimin e oborrit të shkollës së mesme “Isa Boletini” në vlerën 118,541€.

Komuna i kishte dorëzuar 16,596 euro, aq sa i takonte për pjesëmarrje, por që një gjë e tillë, sipas Auditorit nuk ishte dashur të ndodhte gjashtë muaj para se të fillonin punimet.

Sipas Auditorit, Komuna e Podujevës nuk ka procedura të brendshme të shkruara për menaxhimin e pasurive, siç kërkohet me rregulloren për menaxhimin pasurisë 02/2013.

“Sipas nenit 4 të Rregullores për Menaxhim të Pasurive, Komuna duhet të posedojë informata për secilin punëtorë se me çfarë pasurie është i ngarkuar dhe ka në përdorim. Komuna në regjistrat e saj të pasurive posedon të dhëna për pasurinë që ngarkohet secila Drejtori e jo të dhëna për zyrtarët veç e veç”, sqaron Auditori, raporton Indeksonline.

Sipas tyre, në regjistrin e pasurive të Podujevës, pasuritë e blera në vitin 2014 me vlerë prej 458,142 nuk janë të plota, pasi që nuk janë të përfshira në këtë regjistër. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keto-jane-parregullsite-e-komunes-se-podujeves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala