Këto janë kushtet e Listës Serbe për Ushtrinë e Kosovës!

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy drejtuesit e koalicionit qeveritar, Isa Mustafa e Hashim Thaçi duket se po kanë probleme të vazhdueshme. Pas dështimit që u ndodhi para disa javësh për kalimin e amendamentit kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, dyshja Thaçi-Mustafa sot dështuan që të procedojnë në Kuvend amendamentet kushtetuese për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kryesia e Kuvendit, sot kishte hequr nga rendi i ditës pikën për ndryshimet kushtetuese, që do t’i hapnin rrugë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Burime të gazetës Blic të afërt me dyshen Thaçi- Mustafa, kanë thënë se Lista Serbe ua ka bërë të qartë se ata nuk do ta votojnë këtë amendament kushtetues, përmes të cilit do të formohej FAK.

“Drejtuesit e Listës Serbe janë shumë të qartë në kushtet e tyre. Ata nuk do ta votojnë shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura pa u plotësuar katër kushtet e vëna në fillim të krijimit të këtij koalicioni”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, dihet që për t’u miratuar një ndryshim kushtetues nevojiten 2/3 e dyfishta, pra 2/3 e të gjithë deputetëve dhe 2/3 e votave të vendeve të garantuara. Pra, i bie që pa votat e serbëve, nuk do të mund të formohet Ushtria e Kosovës.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, Lista Serbe nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga katër kërkesat e saja, për të cilat kishte raportuar Gazeta në kohën kur kjo listë kushtëzonte hyrjen në Qeveri.

Ato kushte janë:

  1. Emërimi i zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nga radhët e pakicës serbe,
  2. Zëvendëskomandantit të FSK-së po nga radhët e serbëve,
  3. Ndërprerja e privatizimeve në komunat serbe, përfshirë këtu Brezovicën dhe Trepçën si dhe
  4. Krijimi i Asosiacionit të Komunave të kësaj pakice.

Sipas këtij burimi, pa plotësimin e këtyre kushteve, Qeveria e Kosovës duhet të harroj Ushtrinë e Kosovës.

Me vendimin e sotëm të Kryesisë së Kuvendit, ishte ndarë e pakënaqur opozita.

“Nuk u pajtova me vendimin e mazhorancës që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e FAK-ut. Kjo nuk u fut në rendin e ditës dhe unë mendoj se ky ckapërcim është i qëllimshëm. Kjo është një çështje e qëllimshme nga autoritet e tanishme qeverisëse në Kosovë. Kjo pikë do të duhej të shqyrtohej në rendin e ditës së seancës të ditës së enjtes”, ka thënë kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca pas përfundimit të kryesisë.

Kurse, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se kanë kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës amendamentet kushtetuese.

“Ne duhet të informojmë drejt opinionin. Ne kemi kërkuar që ligji që parasheh amendamentet kushtetuese të FSK të hiqet nga rendi i ditës. Për votimin e ligjit për FSK-në, pasi që për ndryshimet kushtetuese nevojitet votim i dyfishtë edhe nga minoritetet”, ka thënë Grabovci.

Ai ka shtuar se shndërrimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Është duke u punuar me ngulm për sjelljen në Kuvend të amendamentet që i hapin rrugë themelimit të FAK-ut”, ka thënë në fund Grabovci.

Mediet ndërkohë kanë raportuar se koalicioni është duke bërë përpjekje që të fus në një pako amendamentet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale dhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës. /Gazeta Blic/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keto-jane-kushtet-e-listes-serbe-per-ushtrine-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala