Këtë vit, katër raste të reja me HIV/AIDS

Autori:Avdyl Pajaziti

Sëmundja vdekjeprurëse e infeksionit HIV, këtë vit ka prekur edhe katër persona të tjerë. Në mesin e 23 pacientëve, sa aktualisht po trajtohen në Klinikën Infektive në Prishtinë, katër janë që u identifikuan këtë vit. Në këtë klinikë thonë se janë të përgatitur mjaftë mirë për trajtimin e këtyre pacientëve, dhe janë të furnizuar me terapi edhe për një vit.

Ndërsa organizatat që merren me parandalimin e kësaj sëmundje, thonë se informimi i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve do të ndihmonte në mosrritjen e numrit të të prekurve. Meqë, sipas tyre, numri është më i madh sesa ai i lajmëruar në klinikë, veçse të prekurit hezitojnë të mjekohen e të tregojnë për sëmundjen që kanë për shkak të paragjykimeve që mund të kenë nga shoqëria.

Infektologu, njëherit shef i repartit për sëmundje transmisive seksuale, Murat Mehmeti thotë për KosovaPress se katër rastet e prekura me HIV/AIDS që u shtuan këtë vit, janë mjaftë shqetësuese.

Ai tregon se nëse pacienti e merr terapinë m e rregull, që nga koha kur ajo i përshkruhet nga mjeku, ai do të ketë mundësi të bëjë një jetë normale.

Ndërsa, shefi i Infektives, Hamdi Ramadani bënë të ditur se nga 23 rastet sa janë duke u trajtuar aktualisht në klinikë, 19 janë të gjinisë mashkullore dhe 4 të asaj femërore.

Duke ditë se shoqëria kosovare nuk është gjithmonë e hapur me të prekurit me këtë infeksion, dhe jo rrallë herë njerëzit me këtë sëmundje paragjykohen e nuk kanë vend në shoqëri, organizatat që merren me këtë çështje, thonë se duhet të punohet shumë në ndërgjegjësimin e njerëzve ndaj të prekurve.

Aulonë Kadriu, nga organizata PEN, mendon se numri është ende më i madh sesa ai i lajmëruar në klinikë, por frika nga reagimet e njerëzve nuk i len të prekurit të deklarohen.

Se shumë persona i hezituan mjekimit e thotë edhe infektologu Murat Mehmeti.

Në Infektive thonë se janë të furnizuar edhe për një vit me terapinë e nevojshme për trajtimin HIV/AIDS-it. Ata kanë repartin e veçantë për sëmundje seksualisht të transmetueshme, ku pacientët shkojnë protokolohen, marrin terapinë ambulantore dhe kthehen në shtëpi.

Ministria e Shëndetësisë me përkrahje të UNICEF’it, po vazhdon të sigurojë terapinë falas për pacientët e prekur me HIV/AIDS.

Kjo sëmundje kërkon trajtim gjatë tërë jetës. Përhapja e saj bëhet përmes kontaktit apo produkteve të gjakut. Personat me këtë sëmundje kanë imunitet më të dobët dhe nëse nuk mjekohen vdesin.

Nga viti 1968 e deri më tani në Kosovë janë të identifikuar rreth 100 persona të prekur me HIV/AIDS.

Në krahasim me rajonin, Kosova ende po qëndron mirë sa i përket të prekurve me këtë sëmundje. Sipas UNAIDS, shkalla e pervalencës në Kosovë është e ulët në 0.1 për qind.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kete-vit-kater-raste-te-reja-me-hivaids/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala