Këta ministra do ta agjërojnë Ramazanin

Autori:Avdyl Pajaziti

Përveç qytetarëve të rëndomtë muajin e Ramazanit do ta agjërojnë edhe ministra të Qeverisë së Kosovës. Ferid Agani, Mahir Yagcılar dhe Rasim Demiri do t’i bashkohen karvanit të agjëruesve ta muajit të Ramazanit.

Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, ka thënë për Telegrafin se këtë vit do ta agjërojë muajin e Ramazanit.

Ai tha se prej që e mban veten mend ka agjëruar. “Nuk më paraqet asnjë problem në punë dhe aktivitetet e mija tjera”, ka shtuar Yagcilar.

Edhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), Ferid Agani, njëherësh kryetar i Partisë së Drejtësisë (PD), ka sqaruar se ky është viti i 38-të që ai e agjëron muajin e Ramazanit.

Sipas tij, ky muaj ndikon që ai të forcohet në aspektin shpirtëror, duke shtuar se kjo reflekton goxha shumë edhe në raportet e tij në marrëdhëniet e tij me personat të cilët i takon gjatë këtyre ditëve.

“Përkundër mungesës së ushqimeve, gjatë këtyre ditëve kam një angazhim dhe përkushtim shtesë ndaj aktiviteteve të mija, për shkak se gjatë këtij muaji fuqizohet komponenta shpirtërore tek agjëruesi”, ka shtuar Agani.

Telegrafi mëson se edhe ministri pa Portofol, Rasim Demiri është pjesë e ministrave të cilët agjërojnë.

Ndryshe, të enjten fillon muaji i Ramazanit, muaj i cili karakterizohet me abstenim prej ushqimeve dhe pijeve, nga koha kur lind dielli deri kur të përfundon ai, kjo gjatë një cikli prej tridhjetë ditësh.

Sipas shkollarëve islamë, agjërimi është njëra nga metodat e arritjes së devotshmërisë ndaj Allahut.

Sipas tyre, muajit të ramazanit i shtohet vlera kur e dimë se në muajin Ramazan është zbritur Kur’ani, duke shtuar se agjërimi është obligim për secilin që është moshëritur (që ka hyrë në fazën e pubertetit). /Telegrafi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keta-ministra-do-ta-agjerojne-ramazanin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala