Këta janë milionerët e politikës kosovare

Autori:Avdyl Pajaziti

Janë mbi 100 zyrtarë të lartë shtetëror që kanë deklaruar pasuri milionëshe. Madje, disa deputetë janë shndërruar në investitorë të rëndësishëm të objekteve banesore.

Më shumë se pesë milionë euro është vlera e pasurisë së paluajtshme e Rrustem Mustafës, deputet i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e krijuar nga vitet 2000 e deri në vitin 2006.

Mirëpo, përpos kësaj deputeti Mustafa ka në pronësi edhe prona të tjera, për të cilat nuk ka dhënë vlerë në formularët e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, të cilat janë bërë publike të hënën.

Mirëpo, bazuar në të dhënat e publikuara nga AKK-ja shihet se deputeti Mustafa është vetëm njëri nga milionerët e shumtë të politikës kosovare.

Me pasuri nuk qëndron keq as deputeti tjetër i PDK-së, Nuredin Lushtaku. Ky në formularin e AKK-së ka vetëdeklaruar se ka në pronësi 6 hektarë tokë, por pa e saktësuar vlerën e tyre. Po ashtu, Lushtaku ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë 80 mijë euro, një kontroll teknik 500 mijë euro, truall 120 mijë euro, objekt afarist banesor 7000 metra katrorë, por pa e saktësuar vendndodhjen dhe vlerën e tij.

Deputeti Lushtaku po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi edhe një shtëpi në vlerë prej 200 mijë eurosh, si dhe 2 automjete në vlerë prej 47 mijë eurosh.

Në listën e politikanëve milionerë hyn edhe Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se ka në pronësi një banesë në vlerë prej 150 mijë eurosh, truall 150 mijë euro, pronë familjare 1 milion euro, pronë 50 mijë euro, si dhe një banesë prej 117 metrash katrorë të përfituar në vitin që lamë pas, por pa e precizuar vlerën e saj, si dhe 17.400 euro para të gatshme në bankë.

Me pasuri nuk qëndron keq as deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Në formularin e AKK-së, deputeti Lekaj ka vetëdeklaraur se ka në pronësi familjare 2 restorante në vlerë prej 4.5 milionë euro, po ashtu 1.5 milionë euro tokë, 280 mijë euro shtëpi, si dhe 13 automjete në vlerë prej 292 mijë euro.

Ndërsa, bazuar në të dhënat e AKK-së, shihet se pasuri të mirë ka edhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj. Ai ka deklaruar se ka në pronësi truall në vlerë prej 500 mijë euro, shtëpi 250 mijë euro, dy banesa në vlerë prej 150 mijë euro, si dhe veturë 30 mijë euro. Limaj ka deklaruar se në llogarinë e tij bankare posedon 210 euro.

Edhe deputeti i LDK-së, Adem Salihaj qëndron mirë nga pasuria. Ai ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi me vlerë 70 mijë euro dhe, tokë në vlerë 1 milion e 170 mijë eruo.

E ndër më të pasurit e politikës kosovare është miku dhe bashkëpartiaku i Behgjet Pacollit, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai ka deklaruar në AKK se ka një pasuri prej 7 milion e 500 mijë euro. Ai ka thënë se në pronësi ka tokë në vlerë prej 6.2 milion euro, 3 shtëpi banimi në vlerë prej 500 mijë euro, si dhe një shtëpi në vlerë prej 860 mijë euro. /Zëri/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keta-jane-milioneret-e-politikes-kosovare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala