Kështu i abuzon Katari punëtorët e huaj

Autori:Avdyl Pajaziti

Katari ka dështuar në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve të huaj, pavarësisht premtimeve të bëra vitin e kaluar se brenda muajsh do të përmirësojë kushtet e punëtorëve. Paga të ulëta, mospagesë deri në pesë muaj, kushte pothuajse as minimale për strehim. E për Ekipin e BBC-së, dy net në qeli, për “mosrespektim të Katarit”.
Situata është e tillë sa që ka reaguar edhe organizata prestigjioze e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI), e cila ka kritikuar rëndë autoritetet e Katarit për keqtrajtim të punëtorëve, për mosdhënie dhe paga të ulëta, për ushqim dhe strehim të keq.

Amnesty, siç raporton BBC, ka monitoruar kushtet e punëtorëve, dhe në raportin e tij të fundit, konstaton se Katari, vendi Ku do të mbahet Kampionati Botëror në Futboll më 2022, ka shënuar shumë pak progres në respektimin e të drejtave të punëtorëve.

Kjo organizatë për të drejtat e njeriut ka hartuar raportin, pasi disa nga sponsorët e Botërorit në futboll, Visa dhe Coca-Cola, ka shprehur shqetësimin e tyre mbi të drejtat e punëtorëve të huaj.

Rreth një milionë e gjysmë emigrantë, punëtorë të huaj, ia kanë mësyrë Katarit, pas bumit në ndërtimin e komplekseve të nevojshme për pritjen e Kupës së Botës.

Amnesty njofton po ashtu se Katari, edhe pse kishte premtuar ndryshim të sistemit dhe të sanksioneve të padrejta në kontrata, nuk e ka hequr akoma nenin ku thuhet se punëtorët duhet të kërkojnë leje nga punëdhënësit e tyre për të kaluar në një punë tjetër, nëse paga apo kushtet janë më të mira.

Një punëtorë, migrantë, i tha Amnesty se ai nuk kishte qenë i paguar që prej mbërritjes në Katar, pesë muaj më parë. Dhe nuk ishte vetëm ai, por kishte edhe shumë të tjerë, thuhet në raport.

“Unë kam ardhur këtu të punojnë dhe të fitojnë pak para për gruan time dhe fëmijët, por për shkak të sponsorit tim unë nuk mund të ndryshojë punë. Thonë që do të na paguajnë”, tha ai, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

“Katari keqtrajton punëtorët emigrantë”, tha Mustafa Qadri, analistë i Amnesty për të drejtat e emigrantëve, në vendet e Gjirit.

“Pa veprim të shpejtë, pa trysni, zotimet e autoriteteve të Katarit duket se janë fjalë boshe, pasi premtime kanë dhënë vitinin e kaluar, premtime japin edhe këtë vit, por veprime nuk ka, punëtorët keqtrajtohen”, ka thënë Qadri.

Në raportin e Amnesty, thuhet se edhe FIFA ka përgjegjësi, dhe se ajo duhet të bëjë çmos, të bëjë trysni tek autoritetet në Doha që të përmirësojnë kushtet e punëtorëve. Sipas këtij raporti, FIFA, nëse nuk ka argumente të mjaftueshme, këto mund t’i merr te sponsoret, Visa dhe Coca-Cola, të cilat kanë kritikuar abuzimet me të drejtat e punëtorëve.

Autoritetet e Katarit këmbëngulin se ndryshimet e mëdha do të bëhen deri në fund të këtij viti. Ministri i Punës së Katarit, Abdullah al-Kulaifi, ka thënë se shteti i tij po përpiqet të shfrytëzojë Kupën e Botës si një katalizator për ndryshim, dhe se 90 për qind e ndryshimeve në ligjet dhe kushtet që kanë të bëjnë me punën, do të kryhen deri në fund të këtij viti.

 

Kur ekipi i BBC-së ka shkuar për të raportuar për të drjetata e punëtorëve në Katar, ai është këshilluar të shkojë në qendër të kryeqytetit, në Doha, ku kushtet e punëtorëve dukeshin në nivel. Kur stafi i BBC-së është drejtuar për në periferi, atje ku punojnë shumica e migrantëve, gazetari dhe kameramani janë arrestuar për “mosrespektim të Katarit”.

BBC ka arritur të merr pamjet ku jetojnë punëtorët, ku kushtet jo që janë të këqija, por mund të konsiderohen si çnjerëzore. Prandaj, Amnesty, Visa, Coca-Cola dhe BBC i bashkohen thirrjes për të bërë trysni ndaj Katarit që të mos abuzojë me punëtorët e huaj, që janë aty për t’ua dërguar parat që i fitojnë me djersë, familjeve të tyre. /lajmi.net/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshtu-i-abuzon-katari-punetoret-e-huaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala