Këshilltari i Thaçit sulmon ashpër Kurtin dhe Ymerin

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Thaçi, Abelard Tahiri, i ka sulmuar shumë ashpër Kurtin dhe Ymerin.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këta anti-imperialistë, së shpejti do të kërkojnë edhe largimin e plotë të prezencës amerikane nga Kosova, kurse Lëvizjen Vetëvendosje e ka quajtur si streh të mbetjeve të fundit të Jugosllavisë në Kosovë dhe të mbeturinave enveriste.

“Duke u nisur prej deklaratave të majta anti-imperialiste të ish liderit të Vetëvendosjes dhe të këtij trockistit, që tash e drejton formalisht, në lidhje me qasjen e politikës amerikane ndaj Kosovës dhe angazhimin e tyre për të bërë një peticion për largimin e ambasadorit amerikan, besoj se nuk do të jetë e largët dita që këta njerëz të kërkojnë largimin e plotë të prezencës amerikane nga Kosova dhe izolimin e vendit tonë prej aleancës perëndimore.

Çdo ditë e më shumë po shohim në këtë lëvizje sesi po mblidhen mbetjet e fundit jugosllave në Kosovë, që duke u bashkuar me mbeturinat enveriste kanë nisur fushatë kundër orientimit tonë perëndimor.

Është mjerane kur sheh njerëz të mbështetur, financuar dhe arsimuar nga SHBA-të, si Shpend Ahmeti, Ilir Deda e të tjerë brenda Vetëvendosjes, që nuk kanë kurajon apo vullnetin që të dalin kundër kësaj sjellje radikale të majtë.
Ballafaqimi ynë me këtë fenomen të trashëguar nga regjimi i kaluar nuk do të jetë as i lehtë dhe as afatshkurtër, mirëpo një gjë është e sigurt, që bashkëjetesa në këtë vend e politikës pro-perëndimore të lirisë, demokracisë dhe asaj të obskurantizmit lindor nuk është e mundur.

Ballafaqimi sa më i hershëm me këta anti-perëndimorë, është i nevojshëm dhe i shëndetshëm për shoqërinë tonë, pa marrë parasysh koston që do të ketë ky ballafaqim”, ka shkruar këshilltari i Thaçit, Abelard Tahiri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilltari-i-thacit-sulmon-ashper-kurtin-dhe-ymerin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala