Këshilltari i Thaçit: Opozita po mundohet ta zhvlerësojë vizitën e sekretarit Kerry

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Abelard Tahiri, ka thënë se opozita po mundohet t’i nënvlerësojë mesazhet e qarta të sekretarit John Kerry kundër veprimeve të tyre, duke u përpjekur të tërheqin vëmendjen tek ndalesa e shkurtër dhe jo tek thelbi i deklaratave të tij.

“Në mënyrë shumë qesharake, opozita u mundua që t’i nënvlerësojë mesazhet e qarta të sekretarit John Kerry kundër veprimeve anarkiste të tyre, duke u përpjekur të tërheqin vëmendjen tek ndalesa e shkurtër dhe jo tek thelbi i deklaratave të tij. Ky ishte një manipulim i paskrupullt i tyre, me të cilin indirekt provuan të thonë se kinse amerikanët na kanë braktisur dhe tash po favorizojnë Serbinë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sikurse e konfirmoi edhe vetë sekretari Kerry. Arsyeja kryesore e vizitës në Serbi e sekretarit Kerry është pjesëmarrja në Këshillin Ministerial të 22-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili mbahet prej 2-4 dhjetor në Beograd, sepse Serbia e ka presidencën e sivjetme të kësaj organizate. Pra, në Serbi është një vizitë multilaterale e sekretarit Kerry. Kurse, vizita e tij në Kosovë ishte bilaterale dhe i dedikohej vetëm shtetit tonë. Në këtë vizitë, sekretari Kerry rikonfirmoi qartazi mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës. Ndërsa, në ministerialin e OSBE-së në Serbi, krahas sekretarit Kerry marrin pjesë edhe 40 ministra të jashtëm të vendeve anëtare!”, ka shkruar Tahiri, në llogarinë e tij në Facebook.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilltari-i-thacit-opozita-po-mundohet-ta-zhvleresoje-viziten-e-sekretarit-kerry/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala