Këshilltarët e Prizrenit, së shpejti me laptopë personal

Autori:Gazeta Fjala

Brenda pak javësh këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, do të pajisen me laptopë. Kësisoj materialet për shqyrtim dhe vendimmarrje, do t’i marrin në mënyrë elektronike.

Sihariqin për këtë lëvizje, këshilltarët e Prizrenit e kanë marrë nga kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi.

“Procedura për pajisje të anëtarëve të KK-së me laptopë është në fazën finale. Madje besoj se kjo është hera e parafundit që i merrni materialet me postë. Besoj se brenda 10 ditësh këshilltarët do t’i marrin laptopët”, ka thënë Gashi. Këtë shpjegim ai e ka dhënë pas ankesave të këshilltarëve të KK-së se materialet që i kanë pranuar nuk janë të renditura si duhet, por që kanë lidhje kaotike.

Për më shumë raportin për realizimin gjashtëmujor të buxhetit, këshilltari i LDK-së Haziz Hodaj, e ka quajtur skandaloz, për shkak të renditjes së palogjikshme. Në bazë të të dhënave të publikuara nga autoritetet e prokurimit del se nga buxheti komunal i Prizrenit do të shpenzohen 19 mijë euro për këtë destinim. Zyra e Prokurimit e Komunës së Prizrenit ka përzgjedhur kompaninë “LSO+Antika 01”, për furnizim me laptopë.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka 41 këshilltarë. KK-ja është digjitalizuar për herë të parë gjatë mandatit të kaluar, në saje të fondeve të ndara nga USAID-i.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilltaret-e-prizrenit-se-shpejti-me-laptope-personal/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala