Këshilli vendos për rektorin

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Mustafa dhe ministri i Arsimit u kanë bërë thirrje instancave të UP-së të kenë parasysh interesin institucional gjatë takimit të Këshillit Drejtues dhe Senatit, i cili do të mbahet sot

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” do të debatojë të hënën (sot) lidhur me kërkesën e senatorëve për shkarkimin e rektorit të këtij Universiteti, Ramadan Zejnullahu. Por, ky Këshill nuk do të hedhë në votim këtë kërkesë gjatë paradites. Këshilli Drejtues ka vendosur që të thërrasë së pari në takim Senatin dhe të dëgjojë argumentet pro dhe kundër kërkesës për shkarkim të rektorit.

Një ditë para këtij takimi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar që UP-ja të ruajë stabilitetin e vet institucional, t’i thellojë reformat, të shkëputet nga tendencat për ndikim politik dhe të bëhet një universitet që prodhon kuadro cilësore, të aftë për nevojat e tregut bashkëkohor.

Islamaj: Nuk votohet kërkesa për shkarkimin e rektorit

Kryetarja e këtij Këshilli, Shefkije Islamaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se të hënën nuk do të votohet kërkesa për shkarkimin e rektorit Zejnullahu.

Ajo ka thënë se kjo nuk do të jetë një mbledhje, por një takim i thirrur nga vet Këshilli. Islamaj thotë se takimi do të udhëhiqet nga Kryesia e KD-së.

“Ne kemi thirrur takim në sallën e Senatit prej orës 10:00, pasi në Këshill është dorëzuar kërkesa për shkarkim të rektorit dhe kjo kërkesë nuk mund të hidhet në votim pa u dëgjuar argumentet. Anëtarët e Këshillit duhet t’i dëgjojnë argumentet dhe pastaj mund të shqyrtohet të jetë apo jo rend dite”, ka thënë Islamaj për gazetën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilli-vendos-per-rektorin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala