Këshilli Prokurorial ia refuzon Sylë Hoxhës privilegjet si u.d zyrtar

Autori:Gazeta Fjala

Me dy vota për dhe pesë kundër, Këshilli Prokurorial në mbledhjen e sotme vendosi t’ia refuzojë kërkesën e kryeprokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxha, për njohjen e privilegjeve të një ish-zyrtari të lartë të shtetit.

Hoxha në një periudhë tetë mujore ka ushtruar detyrën e kryeprokurorit të Shtetit, pasi që ish-kryeprokurori Ismet Kabashi ka shkuar në pension. Ai ishte zgjedhur nga vetë Këshilli Prokurorial i Shtetit, por asnjëherë atë vendim nuk e kishte dërguar tek presidenti i Shtetit për ta konfirmuar.

Për këtë arsye, ushtrimi i detyrës si kryeprokuror i Shtetit nga ana e Hoxhës konsiderohet i paligjshëm, pasi që është presidenti i Shtetit ai që duhet emëruar një kryeprokuror.

Kryeprokurori i tanishëm i shtetit, Aleksandër Lumezi, në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës,e hodhi në votim këtë kërkesë, por shumica e anëtarëve të KSHK-së ishin kundër.

“E qes në votim, kush është që të realizohet kërkesa për realizimin e të drejtave, përfitimeve të ish-zyrtarit shtetëror, respektivisht për ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Shtetit Sylë Hoxha. Kush është kundër? Atëherë vendoset që të refuzohet kërkesa e ish-ushtruesit të detyrës së prokurorit të Shtetit për t’i takuar privilegjet e ish-zyrtarit shtetëror. Me 2 vota për dhe 5 vota për t’u refuzuar kërkesa”, tha Lumezi.

Sevidje Morina, e arsyetoi këtë qëndrim të tyre, duke thënë se një gjë e tillë nuk i takon në bazë të ligjit.

“Sa i përket kërkesës së ish-ushtruesit të detyrës, bindja ime është pa asnjë subjektivitet, se nuk i takon në bazë të legjislacionit dhe në bazë të ligjit nuk i takojnë këto privilegje dhe kërkesën e tij nuk mendoj që duhet ta aprovojmë… Meqenëse koha prej 8 muajve, nuk janë 6 muaj, e ka ushtruar detyrën, por nuk ka qenë ligjërisht i emëruar, mendoj që nuk mund t’i gëzojë këto privilegje”, tha Morina.

Gjithashtu, nga KSHK u miratua edhe Raporti i mekanizmit përcjellës dhe Raporti i gjeografisë kriminale për periudhën kohore janar-qershor 2015.

Sipas këtyre dy raporteve, ku janë përfshirë veprat më të rënda si krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi me substanca narkotike, trafikimi me armë, kontrabandimi me migrantë dhe trafikimi me qenie njerëzore, kanë mbetur edhe 1.770 lëndë të pakryera nga prokuroritë themelore dhe ajo speciale.

“Kanë mbetur gjithsej pa u krye 1.770 lëndë që unë mendoj që nuk është një numër i madh i lëndëve të pakryera, në proporcion me numrin e prokurorëve në departamentin e krimeve të rënda nëpër prokuroritë themelore dhe prokurorinë speciale, të cilët i trajtojnë këto lëndë. Sa i përket aspektit profesional të aktakuzave, të cilat janë paraqitur në gjykata nga prokurorët, kemi rezultate shumë të mira, ku 76 % të aktakuzave kanë kaluar dhe gjykatat për këto aktakuza kanë marrë aktgjykime dënuese”, tha Lumezi.

Gjatë takimit të sotëm u miratuan edhe disa vendime që ishin në rend të ditës, ndër to edhe kërkesa nga ana e EULEX-it për miratimin e emërimit nga KPK, të dy prokurorëve të EULEX-it – Paul Clin dhe Ana Kastam.

Gjithashtu, u miratua edhe formimi i Komisionit Disiplinor, themelimi i Komisionit për Integrime Evropiane, formimi i Grupit Punues për Hartimin e Rregulloreve, kërkesa e prokurorit Besim Kelmendi për angazhim në projektin GIZ për hartimin e formave të shkresave penale etj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilli-prokurorial-ia-refuzon-syle-hoxhes-privilegjet-si-u-d-zyrtar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala