Këshilli Organizativ:të lirohet sheshin nga materialet propaganduese

Autori:Gazeta Fjala

Këshilli Organizativ për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me anë të një kumtese për media sqaron opinionin publik lidhur me sabotimin që drejtuesit politikë të Komunës së Prishtinës po i bëjnë shënimit të festës kryesore shtetërore në Kosovë dhe manipulimet që po i bëjnë lidhur me këto festime,njofton Klan Kosova.

Ja reagimi i plotë i Këshillit Organizativ për Komunën e Prishtinës:

Komuna e Prishtinës është e njoftuar zyrtarisht për aktivitetet që do të zhvillohen me rastin e shënimit të 17 shkurtit, qoftë përmes përfaqësueses së Komunës në Këshill, e cila ka marrë pjesë në takim më datë 2 shkurt, por edhe përmes komunikimit zyrtar që nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka zhvilluar me përfaqësuesit e Këshillit, komunikim i cili mund të bëhet publik nëse ka nevojë.

Komuna e Prishtinës është njoftuar në detaje për aktivitetet, shumica dërrmuese e të cilave do të zhvillohen në kryeqytet dhe në përputhje me përvojën e të kaluarës dhe kalendarin festiv, organet lokale tash e sa ditë është dashur të përkujdesen për të stolisur sheshin kryesor të kryeqytetit me flamuj, siç ka bërë edhe në rastet tjera.

Qëndrimet e përfaqësuesve politikë të Komunës së Prishtinës, se 17 shkurti është “festë fiktive” dhe më pas qëndrimi se kjo është festë shtetërore, që nuk duhet të shënohet nga komunat, ofendojnë qytetarët e Republikës si dhe për përpjekjet shekullore të brezave të tërë të njerëzve që punuan, luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Andaj, Komuna e Prishtinës, duhet që sa më parë ta lirojë sheshin kryesor të Prishtinës nga materialet propagandistike dhe fyese të një subjekti politik, të vendosura me iniciativën e saj, dhe që në vend të tyre të vendos flamujt dhe simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mjetet tjera dekoruese, për të krijuar atmosferë festive për qytetarët që do ta frekuentojnë këtë shesh.

Këshilli Organizativ për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës i rikujton Komunës së Prishtinës agjendën e festimeve e cila është publike për të gjithë opinionin e gjerë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilli-organizativte-lirohet-sheshin-nga-materialet-propaganduese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala