Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin tremujor të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon mbi zhvillimet në Kosovë, si dhe do të dëgjojë vlerësimet dhe komentet e përfaqësuesve të Kosovës, të Serbisë dhe vendeve anëtare, të cilët do të reflektojnë për raportin si dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në New York, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Zëvendëskryeministri Thaçi para përfaqësuesve të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit do të prezantojë të arriturat në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës si dhe do të shpalosë reformat e ndërmarra nga Kosova në tremujorin e fundit. Thaçi do të flasë edhe për rolin e Republikës së Kosovës për stabilitetin e rajonit”, ka bërë të ditur MPJ kosovare në njoftimin e dërguar.

Nga New York raportohet se një nga vlerësimet që dallohet në raportin më të ri, i cili përfshin periudhën nga 15 janari deri më 15 prill, është ‘marrëveshja për integrimin e gjyqësorit në veri’ e arritur në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën sekretari i përgjithshëm e konsideron ‘të një fryme të bashkëpunimit konstruktiv ku theksi vihet mbi interesat e përbashkëta.’

“Një çështje thelbësore për të ardhmen e Kosovës”, sekretari Ban e quan themelimin e Gjykatës Speciale dhe në këtë kuadër ka përshëndetur hapat e autoriteteve të Kosovës drejt themelimit të saj. Çështje të tjera që përmenden në observimet e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara janë ato rreth stabilitetit në veriun e Kosovës, për nevojën e krijimit të asociacionit të komunave, për kthimin e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës si dhe për nevojën e përmirësimit të raporteve midis pushtetit lokal në komunat e veriut me atë qendror në Prishtinë.

Sipas korrespondencës së RTK nga SHBA, diskutimet e sotme pritet të orientohen edhe nga ngjarjet e fundit në Kumanovë, ku sigurisht nga vendet jo shumë miqësore ndaj shtetësisë së Kosovës nuk do të kursehen akuzat për rolin e shtetasve të saj. Rreth këtyre ngjarjeve ekziston edhe një shpresë e një iniciative për një hetim të paanshëm ndërkombëtar dhe këtu sigurisht se nuk do të mungojë qasja konstruktive e vendeve perëndimore.

Seanca do të fillojë në ora dhjetë paradite sipas kohës në New York, ndërsa kryesuese për këtë muaj e Këshillit të Sigurimit është Lituania, anëtare me një mandat rotativ dyvjeçar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keshilli-i-sigurimit-sot-debaton-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala