Këshilli Drejtues i UP’së as nesër nuk diskuton për shkarkimin e Rektorit

Ramadan Zejnullahu s’do të shkarkohet nesër nga pozita e Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Mbledhja e Këshillit Drejtues për të diskutuar për kërkesën e senatorëve për shkarkimin e Rektorit ende s’është caktuar. Ndërkohë, në mbrojtje të udhëheqësit të UP’së ka dal edhe Kryeministri Isa Mustafa
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, nesër do ta mbajë vetëm një takim konsultues, ndërsa ende nuk e kanë caktuar mbledhjen ku do të shqyrtohen kërkesat e senatorëve për shkarkimin e Rektorit Ramadan Zejnullahu
Ende nuk është caktuar mbledhja e Këshillit Drejtues të UP’së, ku pjesë e pikave të diskutimit është edhe kërkesa e senatit për shkarkimin e udhëheqësit të Universitetit të Prisht9inës.
Sidoqoftë, nesër Këshilli Drejtues do ta mbajë vetëm një takim konsultues.
Lajmin e ka konfirmuar për Express, Kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP’së, Shefkije Islamaj. Ajo ka thënë se mbledhja e Këshillit ende nuk është caktuar, ndërsa ka shtuar se nesër do të mbahet vetëm një takim konsultues.
“Nesër nuk do të ketë mbledhje të Këshillit Drejtues, e kemi caktuar vetëm një takim konsultues. Mbledhja e Këshillit ku do të shqyrtohet ndër të tjera edhe kërkesa e senatit për shkarkimin e rektorit nuk është caktuar ende”, ka thënë Islamaj për Gazetën Express.
Në anën tjetër, Senati ka kërkuar shkarkimin e Rektorit Ramadan Zejnullahu, në kohën kur edhe studentët po mblidhen vazhdimisht para rektoratit duke kërkuar ulje të kritereve të kalueshmërisë.
Në lidhje me këtë çështje, sot ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka dhënë sinjale që rektori nuk bën të shkarkohet. Shefi i Qeverisë i ka dhënë përkrahje Rektorit, por edhe Senatit në kryerjen e detyrave të tyre të parapara me Ligj.
Ndryshe, për ta shkarkuar rektorin, këshillit drejtues i duhen gjashtë nga nëntë vota sa ka gjithsej ky këshill. Pesë anëtarët e këshillit që vijnë nga senati po kërkojnë me ngulm shkarkimin e rektorit, ndërsa katër të tjerët nga ministria kanë kërkuar arsye të forta në mënyrë që ta marrin vendimin për shkarkim.
Ramadan Zejnullahu është zgjedhur Rektor pas dorëheqjes së Ibrahim Gashit. Prej se e ka marrë pozitën e Rektorit, Zejnullahu është përballur me protesta, fillimisht të familjeve të veteranëve, ndërsa, tash edhe të 20-30 studentëve.