Kerry takon vetëm Mustafën dhe Thaçin

Autori:Avdyl Pajaziti

Cilat janë detajet e vizitës më të rëndësishme të vitit në Kosovë? Sa policë do ta ruajnë Sekretarin e Shtetit Kerry gjatë vizitës në Prishtinë? Kë do ta takojë nga liderët shqiptarë? A do të përkrah Kerry marrëveshjen e Brukselit dhe demarkacionin me Malin e Zi?

Nesër në Prishtinë vjen zyrtari më i lartë që ka vizituar Kosovën, që nga vizita e Hillary Clinton në vitin 2011. Sekretari i Shtetit John Kerry, përkundër zhvillimeve në Siri me rrëzimin e aeroplanit rus nga Turqia dhe anulimit të vizitave të tij në Podgoricë dhe Tiranë, megjithatë ka vendosur të vizitoi Prishtinën, ku do të qëndrojë vetëm disa orë.

Telegrafi mëson se Sekretarin Kerry do ta ruajnë 1000 policë të njësiteve të ndryshme të Policisë së Kosovës, në një kohë kur rrezikshmëria nga terrorizmi në mbarë botën është shumë e lartë.

Policia e Kosovës nuk ka informacion se ka rrezik të shquar në Prishtinë, por janë përgatitur me të gjitha masat që Sekretari Kerry të jetë po aq i sigurt si edhe në vendlindjen e tij në Amerikë.

Kerry do të ketë agjendë intensive dhe ka vendosur të takojë vetëm kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi.

Nuk do t’i drejtohet Kuvendit dhe nuk do të takojë as presidenten Jahjaga, të cilës do t’i kalojë mandati presidencial për pak muaj. Nuk do të takojë as liderët e opozitës, në një shenjë të qartë të pakënaqësisë së administratës amerikane me dhunën e përdorur në Kuvend nga opozita.

Besohet se Kerry do të përshëndet fuqimisht marrëveshjet në Bruksel për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe do të përshëndet edhe arritjen e demarkacionit më Malin e Zi.

Javë më parë edhe presidenti Obama në një letër të veçantë e ka quajtur historik arritjen e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Kjo besohet për shkak se Amerika fuqimisht po përkrah Malin e Zi për të hyrë në NATO, me sa më pak probleme me fqinjë.

Rusia në anën tjetër po kundërshton aderimin e Malit të Zi në NATO dhe është akuzuar se po organizon protesta të dhunshme të opozitës kundër qeverisë së Milo Djukanoviqit.

Vizita e Kerryt në Kosovë vjen në një moment kritik për Qeverinë e Prishtinës dhe besohet se do të shërbejë për të forcuar mesazhin amerikan të përkrahjes për progresin e arritur deri më tani, por edhe brengën që elementet e ndryshme mund ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin, prej radikalëve islamikë e deri tek incidentet e dhunshme politike në Kuvend dhe në rrugë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kerry-takon-vetem-mustafen-dhe-thacin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala