Kërkon amnisti për përdoruesit e hashashit

Autori:Avdyl Pajaziti

TIRANE – Rasti i një 21-vjeçari nga Himari i dënuar me 5 vjet burg si përdorues hashashi, shërbeu për deputetin e Partisë Socialiste Koço Kokëdhima si shembulli konkret për të treguar nevojën e një amnistie për të gjithë djemtë dhe vajzat që vuajnë dënime të ngjashme. Këtë pasdite deputeti Kokëdhima vizitoi Mihal Llazarin në spitalin e burgut në QSUT, i cili po e vuan dënimin në gjendje të vështirë shëndetësore. Kokëdhima tha se Shqipëria duhet të ketë legjislacion shumë më lehtësues për përdoruesit e marijuanës dhe një amnisti të përgjithshme për ata që janë në burg.

“Kjo nuk është një ngjarje e bukur po dramatike dhe ka lidhje për një të ri. Ky djalë është 21 vjeç dhe ka më shumë se 1 vit e gjysme në burg. Është në gjendjen e tronditjes së thellë psikologjike. Ai ka prej 3 javësh që nuk komunikon. Ai është nga Himara dhe nuk ka kryer asnjë lloj krimi. Thjesht ka qenë përdorues i hashashit. Ai ka jetuar në brengën e familjes së ndarë. Askush nuk gatuante për të. Ai është thjesht një përdorues hashashi. I ati i tij i shqetësuar për këtë fakt kërkoi ndihmën e policisë së Saliut. Dhe pasi e siguruan se do ta ndihmonin policia e arrestoi dhe ai tani vuan një burgim të gjatë në një gjendje mjaft të keqe shëndetësore. Fati i këtij të riu është i ngjashëm me fatin e shumë të rinjve të tjerë shqiptarë. Asnjë vend i botës nuk i ndëshkon kështu siç i ndëshkojmë ne djemtë dhe vajzat. Prandaj i bëjmë thirrje opinionit publik që të sensibilizohen që Shqipëria të ketë një legjislacion të arsyeshëm për përdorimin e marijuanës. Kjo bëhet më e arsyeshme në kontekstin e sotëm, ku marrëdhënia e shoqërisë me kanabisin është një marrëdhënie tjetër. Dhe nuk mund t’i marrim dhjetëra të rinj që të mbushim burgjet me to. Prandaj kërkojmë një amnisti themelore të përgjithshme për krimet e kanabisit sepse do të liroheshin nga burgu djem e vajza që nuk i kanë bërë dëm askujt vetëm vetes së tyre. I bëj apel gjykatësve që ta lirojnë Mihal Llazarin sepse nuk ka bërë asnjë krim”, u shpreh Kokëdhima.

Mihal Llazari është dënuar me 5 vjet burg pasi është kapur me 40 gram hashash. I riu ishte denoncuar në polici nga vetë babai i tij.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kerkon-amnisti-per-perdoruesit-e-hashashit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala