Kërkojnë llogari për Gjykatën Speciale

Autori:Zekirja Shabani

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa më shumë qartësi rreth procesit të themelimit të asaj gjykate duke thënë se në hartimin e teksteve që kanë të bëjnë me themelimin e gjykatës Kuvendi po injorohet në tërësi.

Në seancën plenare, deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, ka folur për injorimin që sipas saj po i bëhet Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë ligjvënës në vend, në mos përfshirjen e tij në negociatat që po bëhen me Brukselin lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale. Gjithashtu, ajo ka kërkuar që me themelimin e Gjykatës Speciale të hetohen të gjitha rastet e vrasjeve të pasluftës, e jo ashtu siç është thënë nëpër medie që do të trajtohen vetëm disa prej tyre.

“Kërkoj nga Kuvendi të insistojë që Gjykata Speciale të mos bëj drejtësi selektive, pra të mos merret vetëm me një pjesë të raportit të Ëiliamisonit, por të merren në tërësi me raportin, sepse aty ka fakte të mjaftueshme”, tha ajo.

Për vërejtjet e deputetes Osmani është përgjigjur kryeministri Isa Mustafa i cili ka thënë se është duke u punuar në tekstin për krijimin e Gjykatës Speciale. Mustafa, po ashtu ka theksuar se edhe këtë dokument do ta sjellin paraprakisht në Kuvend, ndonëse këtë e vuri në pikëpyetje duke thënë se ndoshta do t’i sjellin.

“Tani për tani po punohet në tekstin e ndryshimit të tekstit të Kushtetutës, në tekstin e ligjit mbi Gjykatën Speciale. Të gjitha këto dokumente ndoshta do t’i diskutojmë paraprakisht”, th ai.

Edhe deputeti i LDK-së Adem Salihaj ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale dhe për atentatin që ai kishte pësuar, duke aluduar në atë se SHIK-u kishte tentuar ta vrasë. Sipas tij, krijimi i kësaj gjykate po bëhet pikërisht për faktin se gjykatat vendore nuk kanë guximin që t’i trajtojnë këto lëndë.

“ Pse formohet një gjykatë speciale për krimet në Kosovë? Sepse nuk ka gjykata të Kosovës që guxojnë të merren me këto krime. Unë kam dokumentacion komplet të gjykatës, dhe janë çështje që dihen publikisht”, tha ai.

Ndryshe, me 51 vota pro, 15 kundër dhe 6 abstenime, Kuvendi ka zgjedhur anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me mandat pesë vjeçar, Nehat Idrizin, Armend Berishën dhe Xhemshit Galushin.

Po ashtu, është formuar edhe Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kerkojne-llogari-per-gjykaten-speciale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala