Kërkohet shkarkimi i Liburn Aliu-t

Autori:Avdyl Pajaziti

Opozita në Komunën e Prishtinës do të vazhdojë edhe më tutje të mos votojë projektet të cilat do të sillen në Kuvend nga Drejtoria e Urbanizmit të cilën e drejtom Liburn Aliu.

PDK e LDK – kërkojnë shkarkimin drejtorit Aliu, ndërsa kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti thotë se nuk ka ndërmend ta plotësoj këtë kërkesë të opozitës.

Asmbleistët opozitarë në Komunën e Prishtinës do të vazhdojnë me qëndrimet e njëjta duke mos votuar asnjë nga projektet e sjella nga Drejtoria e Urbanzimit në Kuvendin Komunal. Lirak Çelaj nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha për Radio Kosovën se qëndrimet e tyre i kanë bërë publike por ekzekutivi nuk ka vepruar . Kërkesa ka ardhë pas sulmit fizik që drejtori Aliu i kishte bërë asambleistit, Muhamet Selmani. Sipas Çelajt, përderisa të vazhdojë të jetë në krye të Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliu ata do të refuzojnë çdo projekt të sjellë nga kjo drejtori.

”Ne kemi thënë që deri sa nuk e shkarkon, Shpend Ahmeti këtë drejtor nga kjo drejtori ne nuk do të përkrahim apriori. Domethënë në parim çkado që vjen nga kjo drejtori ne do ta refuzojmë. Meqë ai s’ po don me bashkëpunu edhe ne do ta bëjmë të njejtën punë që po bën edhe ai. Ai s’don me bashkëpunu nuk bashkëpunojmë edhe ne. Kështu që deri sa nuk shkarkohet ne nuk do të ndërrrojmë qëndrim”, tha Çelaj.

Po ashtu edhe asambleisti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Mustafë Krasniqi thotë se në takimet e zhvilluara mes asmablesitëve dhe udhëheqësve të drejtorive në komunë, grupi i LDK-së dhe asamblesitët tjerë kanë kërkuar nga drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu që incidente të tilla të mos përsëriten më. Sipas tij në të ardhmen do të ulen të shikojnë pikat të cilat vijnë nga kjo drejtori dhe do të analizojnë për veprime të mëtutjeshme.

”Qëndrimi i dy grupeve dihet, ne i kemi dhënë qëndrimet tona për shkak të incidentit që ka ndodhë. Edhepse në takimet tjera që i kemi pasë jemi mundue si grup, po e them grupi i LDK-së në këtë rast po është ngritë edhe prej asambleistëve mrena në Kuvend që në këtë drejtim të reflektojmë në aspektin pozitiv” u shpreh Mustafë Krasniqi nga LDK-ja.

Por kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti konsideron se këto janë bllokime nga ana e Opozitës të cilat sipas tij shkojnë kundër interesit të qytetarëve të kryeqytetit. Ahmeti theksoi se nuk ka ndërmend të shkarkojë drejtorin e Urbanizmit, Liburn Aliun.
”Ka qenë një prej personave kyq që i ka ndalë ndërtimet pa leje dhe degradimin e mëtutjeshëm të qytetit. Ka bërë një reformë të jashtëzakonshme në Drejtorinë e Urbanzimit dhe poashtu ka nisë shumë gjana edhe në prokurori për shkak të shkeljeve që janë ba. Prandaj Liburn Aliu mbetet drejtor i Urbanizmit” tha kreu i komunës Shpend Ahmeti.

Ndryshe në Mbledhjen e Katërt të Kuvendit Komunal të Prishtinës asambleistët e opozitës, patën hequr nga rendi i ditës dy projekte të cilat ishin sjellë nga Drejtoria e Urbanzimit. /rtk/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kerkohet-shkarkimi-i-liburn-aliu-t/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala