Kërkohet shkarkimi i Faik Grainces

Autori:Avdyl Pajaziti

Iniciativa për Progres (INPO), ka vlerësuar se planifikimi dhe zhvillimi hapësinor-urban i mirëfilltë dhe në interes të zhvillimit të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe efikas është tregues i qartë për qeverisje të mirë dhe demokratike, e që fatkeqësisht kjo nuk po ndodh në qytetin e Ferizajt.

Sipas INPO-së, qeverisja komunale në Ferizaj tash e sa kohë po dështon në krijimin e politikave dhe praktikave të mira për zhvillimin dhe menaxhimin urban të qytetit dhe kjo tregohet edhe me shembullin e fundit të Komunës së Ferizajt e cila inicioi revidimin e planeve rregulluese urbane për zonën I dhe VIII-të të qytetit.

Duke mos dashur që qyteti i Ferizajt të ndërtohet në mënyrë të paligjshme, INPO, muaj më parë, përmes reagimeve publike ka kërkuar nga kryetari i komunës Muharrem Svarqa që të anuloj tërë procesin e revidimit të këtyre dy planeve rregulluese dhe njëherësh të shkarkojë nga detyra drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Faik Grainca, si përgjegjësin kryesor për gjithë procesin e mbrapshtë të revidimit të zonave, si dhe të angazhohet seriozisht në garantimin e ligjshmërisë së këtij procesi duke i anashkaluar interesat e individëve apo grupeve të caktuara.

Gjithashtu, INPO përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj që të filloj hetimet lidhur me dyshimin e bazuar se “zyrtarë komunal kanë konsumuar elemente të veprave penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Por, thirrjet ndaj institucioneve që janë përgjegjëse që të sigurojnë sundimin e ligjit dhe praktikave demokratike, sipas INPO-së, kanë hasur në vesh të shurdhër dhe akoma nuk është parë ndonjë veprim konkret, i cili do të pamundësonte cenimin e të drejtave qytetare për një qeverisje të mirë, transparente dhe mbi te gjitha, të ligjshme.

“Si pasoj e veprimeve të jashtëligjshme, dhe mosgatishmërisë së kryetarit të komunës që të intervenoj në kohë dhe të mbajë përgjegjës dhe llogaridhënës të gjithë ata që i kontribuuan këtij procesi të jashtëligjshëm, komuna e Ferizajt tashmë rrezikon që të humb qindra mijëra euro të buxhetit të saj, për shkak të deponimit të padive në gjykata kompetente për realizmin e dëmshpërblimit nga ana e investitorëve, të cilëve u janë pezulluar lejet e ndërtimit për shkak të kontestueshmërisë së procesit të revidimit”, vlerëson INPO.

Për më tepër, Iniciativa për Progres thekson se komuna nuk ka marrë për bazë as katër shkresat të përcjella me rekomandime të komisionit të përbashkët të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Vendimit të Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që të rikthejnë në rishqyrtim Vendimin për Inicimin e Procesit të Revidimit të Planit Rregullues për zonën e I-rë dhe VIII-të, si dhe planet rregulluese të hartohen, revidohen dhe harmonizohen sipas procedurave, terminologjisë dhe përmbajtjes së paraparë me Ligjin Nr.04/L-174 për Planifikim Hapësinor.

Komuna e Ferizajt nuk ka arritur dhe nuk po gjen vullnetin e mirë që t’i zbatoj këto rekomandime dhe urdhëresa, dhe për pasojë vazhdojnë të prodhojë dokument pas dokumenti, vendim pas vendimi, të cilët në fund rezultojnë të jenë të pa harmonizuar dhe të pabazuar në ligje dhe plane strategjike, të cilat i përcaktojnë caqet afatgjata të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor.

INPO vlerëson se është jashtë të gjitha kritereve profesionale dhe menaxhuese që drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, në të kaluarën kryetar i komunës, të mos arrijë të hartoj dokumente dhe politika të mira dhe të bazuara në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës dhe të mos i zbatoj rekomandimet e institucioneve mbikëqyrëse lidhur me këtë proces.

Bazuar edhe në këto të gjetura, INPO me të drejtë dyshon se “revidimi i planeve rregulluese ka qenë i orkestruar për t’i shërbyer personave të caktuar, të cilët kanë pasur interes të drejtpërdrejtë në ngritjen e koeficientit të ndërtimit”.

Andaj, INPO me ngulm kërkon nga kryetari i komunës që të shkarkoj nga pozita drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, të mbajë llogaridhënës të gjithë ata zyrtarë që në një formë ose tjetër i kanë kontribuuar këtij procesi të paligjshëm, si dhe sa më parë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për sigurimin e ligjshmërisë së këtij procesi.

Njëherësh thërret organet e drejtësisë që fillojnë hetimet e këtij procesi dhe personat përgjegjës për këto parregullsi t’i nxjerr para drejtësisë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kerkohet-shkarkimi-i-faik-grainces/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala