Kërkohet ndërprerja e bisedimeve me Serbinë

Autori:Gazeta Fjala

Pas dështimit të Kosovës për tu bërë anëtare me të drejta të plota e UNESCO-s, analistë dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë kanë kërkuar që të ndalen bisedimet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.  Sipas tyre, nuk mund të flitet për bisedime për normalizimin e marrëdhënieve kur Serbia ishte në një ofanzivë diplomatike për të penguar Kosovën drejt anëtarësimit në UNESCO.

Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit Riinvest, ka thënë se Kosova duhet që të rishikojë formatin e bisedimeve me Serbinë.

“Nuk ka kuptim asnjë proces i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa ajo pengon anëtarësimin tonë nëpër organizata ndërkombëtare; ky relacion më së paku është normalizues,” ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.  Sipas tij, Kosova nuk mund që të bëjë biseda me Serbinë pa ndryshimin thelbësor të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar,” ka thënë Ymeri.

Bashkëpartiaku i tij, Ilir Deda, që së fundi ëshët parë të jetë kritik ndaj veprimeve të Lëvizjes Vetëvenosje në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se dështimi i Kosovës që të anëtarësohet në UNESCO është edhe dështim i procesit “të Brukseslit ‘të normalizimit të marrëdhënieve’”.

“Kosova menjëherë duhet t’a ndërprejë dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes për Bashkësinë e komunave, dhe të bëjë të qartë që pa njohje të pavarësisë nuk ka më asnjë kuptim për dialog.  Dhe, të gjithë përgjegjësit në Qeveri të japin dorëheqje,” ka shkruar Deda në Facebook.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar që të ndalet dialogu pasi që sipas tyre, nuk ka kuptim vazhdimi I tij kur nuk zbatohet marrëveshjet e arritura./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kerkohet-nderprerja-e-bisedimeve-me-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala