Kërcënon Irinej: Me hatër a me forcë do ta kthejmë Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Patriku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, tha sot në Nish se të gjithë janë të detyruar të ngrenë zërin “në mbrojtje të Kosovës e Metohisë” dhe “nëse ndodh përdorimi i forcës, duhet bëjmë çdo gjë që me hatër a me forcë ta kthejmë atë”.

“Shpresoj të mos jemi të detyruar që në këtë mënyrë ta mbrojmë atë, por që vetëdija dhe ndërgjegjja e atyre që vendosin për fatin tonë do të flasin në mënyrën se si duhet të flasë një ndërgjegje e zgjuar dhe e pastër njerëzore”, citon Koha.net deklaratën e Irinejt dhënë gazetarëve në prag të fillimit të sesionit të UNESCO-s.
“Tani bëhet fjalë për atë që të na i marrin objektet e shenjta dhe t’i shpallin vlera të Kosovës”, tha patriku serb.

Kosova, tha Irinej, “është historia jonë, kultura jonë, fillimi i gjithë asaj që është madhështi e përhershmëri në historinë tonë, kulturën tonë”.
“Këtë ne në asnjë rast nuk guxojmë t’ia lejojmë as vetes, as të tjerëve, që Kosova e Metohija të mos jenë të popullit që i përkasin qysh kur dihet për Kosovën e Metohinë dhe popullin serb”, tha Irinej.

Ai, siç citohet nga mediet serbe të ketë thënë, ka shtuar se tani objektet e shenjta serbe u dashka t’i dorëzohen popullit i cili gjithë kohën e historisë së tij ka djegur objektet e shenjta serbe dhe se kjo nuk guxohet të lejohet.
Po ashtu ka thënë se në Kosovë e Metohi ndodhet rezidenca e patriarkëve serbë (Patrikana e Pejës), si dhe objektet më të mëdha të shenjta të historisë e të kulturës serbe.

Është e njohur se shqiptarët me shekuj ruajtën manastiret dhe kishat serbe, ndërsa gjatë gjithë luftës për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb nuk është dëmtuar asnjë një objekt kulti serb.

Kleri serb ka qenë inspiruese dhe pjesëmarrëse e krimeve monstruoze që ndodhën në fundshekullin që e lamë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kercenon-irinej-me-hater-a-me-force-do-ta-kthejme-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala