Keqpërdoren paratë publike

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kurriz të taksapaguesve, e në emër të parasë publike, po pasurohen me të madhe zyrtarë të ndryshëm qeveritarë, madje pa dhënë asnjë përgjegjësi. Çdo vit së paku 10% e buxhetit keqpërdoret ose keqmenaxhohet, që do të thotë se mbi 100 milionë euro shpenzohen në procedura jo të rregullta përmes prokurimit publik.

Edhe më shumë se shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës po vazhdon avazi i keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Në kurriz të taksapaguesve, e në emër të parasë publike, po pasurohen me të madhe zyrtarë të ndryshëm qeveritarë, madje pa dhënë asnjë përgjegjësi. Keqpërdorimi i parasë publike konsiderohet shkelje e rëndë ligjore. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP)  dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, çdo vit raportojnë për parregullsi te organizatat buxhetore për sa i përket keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të parasë publike. Në bazë të raporteve të Auditorit, del se në vit së paku 10% e buxhetit keqpërdoret ose keqmenaxhohet, që do të thotë se mbi 100 milionë euro shpenzohen në procedura jo të rregullta përmes prokurimit publik. Prokurimi publik është ndër fushat më të kritikuara në raportet e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare dhe vendore, duke përfshirë shoqërinë civile, njohësit e çështjeve ekonomike dhe mediet. Kritika të rënda ka bërë edhe një prej institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian (BE), organizata ku Kosova synon të anëtarësohet. Raporti i Progresit ka vënë theksin tek angazhimi për të parandaluar korrupsionin në tenderët publikë. Raporti i Progresit për vitin 2014, i publikuar nga Komisioni Evropian, konstaton se “korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë prokurimin publik dhe vazhdon të jetë një problem serioz që duhet të adresohet urgjentisht”. Jo vetëm përmes prokurimit publik keqpërdoret paraja publike, por edhe përmes drekave e darkave, mëditjeve e udhëtimeve zyrtare, shfrytëzimit të veturave zyrtare jashtë orarit të punës, për qëllime personale e mënyra të ndryshme. Edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në fjalimin e saj vjetor, ka drejtuar kritika për sistemin e prokurimit në vend. Ajo ka konstatuar se prokurimi publik në Kosovë është jotransparent.

Kontratat e nënshkruara që tejkalojnë pragun e BE-së

Sipas raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për vitin 2014, një kopje të cilën e posedon revista “Ekonomia”, shihet se gjatë vitit 2014 në tërë Kosovën janë nënshkruar  11,362 kontrata publike, të udhëhequra sipas Ligjit për Prokurim Publik të Kosovës, duke i përfshirë të gjitha llojet e vlerave të kontratave. “Vlera e kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2014, sipas raportit të KRPP-së, kap shumën prej 387 milionë e 737 mijë e 957 euro. Si burim i financimit të kësaj vlere të kontratave të nënshkruara janë 129 milionë e 808 mijë e 495 euro nga të hyrat vetjake apo (33.31%), nga buxheti i Kosovës 258 milionë e 872 mijë e 264 euro (66.42%) dhe nga donacionet 1 milion e 57 mijë e 198 euro (0.27%)”, thuhet në raportin e KRPP-së, i cili ende nuk është bërë publik, para se të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, megjithëse një numër i konsiderueshëm rastesh, që ndërlidhen me procedura tenderuese, gjenden nën hetime nga prokuroritë apo në shqyrtim gjyqësor. Kështu, vetëm në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pasur në punë 23 raste me 183 persona të përfshirë, të cilët janë hetuar për këto dyshime. Duke u bazuar në kërkesat e institucioneve të BE-së, për nxjerrjen e informatave mbi kontratat e nënshkruara, sipas pragjeve të BE-së, për herë të parë gjatë vitit 2014, KRPP-ja ka grumbulluar të dhënat mbi këto kontrata. Kontratat e nënshkruara sipas numrit dhe vlerës, të cilat janë më të mëdha se pragjet e BE-së, sipas vlerave për vitin 2014, kapin shumën prej 136.9 milionë euro. Gjendjen brengosëse në fushën e prokurimit dhe mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike, e ka pranuar edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka theksuar se në 537 raste të raportuara nuk kanë respektuar ligjin e prokurimit publik, pasi ka pasur parregullsi. “Në cilësinë e Ministrit të Financave, përgjegjës për paranë publike, unë vlerësoj së gjendja është e vështirë dhe brengosëse rreth mënyrës së si është shfrytëzuar paraja publike. Në shumë organizata buxhetore, në 537 raste të raportuara, nuk kanë respektuar ligjin e prokurimit publik, ka pasur parregullsi në vlerësimin e ofertave, në marrjen e vendimeve të gabuara për ofertuesit, trajtim jo të barabartë të ofertuesit, dosjen e tenderit, në kritere për dhënie të kontratave dhe shumë probleme të tjera”, ka thënë Hoti. Megjithatë, ai u shpreh i vendosur që të vendosin një rend për sa i përket kësaj çështjeje, derisa bëri me dije se për dy ose tre muaj do ta testojnë formën e prokurimit online, ndërsa në fillim të vitit 2016 do të fillojnë përfundimisht me aplikimin e prokurimit online. Sipas tij, kjo gjendje shtron nevojën për intervenim urgjent në dy drejtime: në drejtim të ndryshimit të ligjit të prokurimit publik dhe në ngritjen e kapaciteteve dhe etikës profesionale të zyrtarëve të prokurimit në të gjitha organizatat buxhetore. “Unë jam i vendosur që të siguroj se paraja publike po përdoret sipas ligjit dhe në interesin më të mirë të qytetarëve. Ashtu siç kam deklaruar me rastin e marrjes së detyrës, do të jem plotësisht transparent për shpenzimin e secilit cent të parasë publike dhe do të kërkoj llogari nga cilido zyrtar publik”, thotë ministri Hoti.

Paraja publike keqpërdoret nga njerëzit përgjegjës

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, është nevojë urgjente ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike në sektorin e prokurimit. Shtrirja e ndikimit politik në prokurimin publik, sipas tyre, mbetet ndër shqetësimet kryesore. Nga raporte të ndryshme vërehet se biznesmenë të afërt me politikanë janë fuqizuar e janë shpërblyer nëpërmjet tenderëve publikë. Musa Limani, profesor universitar i ekonomisë, thotë se çështja e keqmenaxhimit të mjeteve buxhetore është bërë dukuri dhe, për fat të keq, keqpërdoret nga ata të cilët janë në krye të institucioneve më përgjegjëse. “Në vend se ata të luftojnë abuzimin e mjeteve publike, pikërisht te ata hasim keqmenaxhimin e këtyre mjeteve. Kjo shëmton imazhin e Republikës së Kosovës, humb imazhin e institucioneve, humb besimin e taksapaguesit dhe ka pasoja të shumëfishta, edhe politike, sociale e shoqërore, prandaj duhet të luftohen ato. Për fat të keq, ato nuk mund të luftohen tek ne, sepse korrupsioni është në nivelin institucional”, ka thënë profesor Limani. Mjetet buxhetore, sipas tij, duhet të përdoren për interes të përgjithshëm, si për ngritje të infrastrukturës, ngritjen e standardit të përgjithshëm, ngritjen e kapaciteteve prodhuese etj. Ai thotë për revistën “Ekonomia” se është i dëmshëm fakti kur paratë publike nuk shkojnë aty ku duhet. Qeveria e Kosovës, shton ai, duhet të orientojë këto financa publike aty ku është interesim më i madh i ekonomisë së vendit dhe bizneseve. “Çdo abuzim i parasë publike, normalisht, që ndikon negativisht në orientimin e gabuar të mjeteve financiare, që shprehet edhe në dinamikën e zhvillimit ekonomik. Lidhur me këtë do të theksoj se vetëm investimet kapitale, që janë paraparë në buxhet, janë diku 700 milionë euro dhe 90% e këtyre investimeve shkojnë në infrastrukturë rrugore. Unë si ekonomist e kuptoj rëndësinë e infrastrukturës, por mendoj që orientimi i këtyre investimeve duhet të bëhet në kapacitete prodhuese”, thekson Limani. Ndërsa, drejtuesi i Institutit GAP, Agron Demi, thotë se keqpërdorimi i parasë publike po ndodh në dy mënyra: i qëllimshëm, kur të involvuarit kanë synim që përmes fondeve publike të përfitojnë personalisht; dhe i paqëllimshëm, kur zyrtarët për menaxhimin e financave publike bëjnë lëshime në punën e tyre për shkak të problemeve teknike, paaftësisë, mosnjohjes mirë të procedurave etj. Sipas tij, në bazë të raporteve të Auditorit, del se në vit së paku 10% e buxhetit keqpërdoret ose keqmenaxhohet. “Kjo do të thotë se mbi 100 milionë euro shpenzohen në procedura jo të rregullta. Por, me gjithë raportet e auditorit, raportimet tona, si GAP dhe të OJQ-ve tjera, raportimet e medieve, dy gjëra nuk po ndodhin: askush nuk po jep llogari morale, duke u dorëhequr apo duke u shkarkuar nga mbikëqyrësit; si dhe gjykatat nuk po e kërkojnë përgjegjësinë penale për ata që keqpërdorin fonde. Mungesa e këtyre dy hapave, ka bërë që zyrtarët përgjegjës të ndihen komodë në keqpërdorimin e parasë publike dhe korrupsionit”, ka vlerësuar Demi. Ajo çfarë duhet të bëhet, ai thotë se është ngritja e profesionalizmit tek zyrat që menaxhojnë paranë publike dhe prokurimin, të ndërrohen bordet e organeve për prokurim publik, si KRPP dhe OSHP, të vendosen sisteme më efektive të monitorimit dhe raportimit, të rritet transparenca dhe të publikohen emrat e keqpërdoruesve. ”Mostransparenca dhe menaxhimi i keq i parasë publike janë të ndërlidhura ngushtë me korrupsionin dhe mungesën e investimeve të huaja direkte”, thekson Demi. Keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i parasë publike, për njohësin e çështjeve ekonomike, Lekë Musa, ka të bëjë me një edukim afatgjatë të disiplinës fiskale, ku paraja publike është diçka e cila nuk duhet keqshfrytëzuar dhe për të cilën duhet të ekzistojë një përgjegjësi e nivelit më të lartë të mundshëm. Mirëpo, ai thekson se derisa të arrihet kjo, do të shkojë shumë kohë. “Fillimisht ndoshta do të duhen zvogëluar përfitimet e zyrtarëve publikë, duke filluar nga pagat e mëditjet. Ato do të duhej të ishin në përputhje proporcionale me standardin e jetës në Kosovë dhe të ketë një barazi mes shtresave të ndryshme në Kosovë”, saktëson Musa. Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se në javët në vijim Ministria do ta dërgojë ligjin e prokurimit publik në Qeveri dhe pastaj në Parlament. Sipas tyre, ligji do të përcaktojë rregullat e reja të prokurimit publik dhe do të forcojë llogaridhënien dhe transparencën. Njëkohësisht, po punohet në përgatitjen e platformës elektronike për të filluar zbatimin e prokurimit elektronik në të gjitha organizatat buxhetore. Kjo do të rrisë në maksimum transparencën gjatë procesit të tenderimeve dhe do të shkëpusë kontaktet e zyrtarëve të prokurimit me ofertuesit. Po ashtu, me këtë sistem elektronik, çdo veprim i zyrtarëve të prokurimit do të jetë i gjurmueshëm në sistem duke rritur kështu përgjegjësinë dhe duke e drejtuar atë tek personi adekuat.

Box: 349 mijë € për shpenzime të karburanteve

Gjatë vitit 2014 kabinetet e 17 ministrive kanë shpenzuar 349,977 euro për karburante për vetura. Ashtu sikurse edhe me drekat zyrtare, edhe shpenzimet për karburante janë më të larta në vitin 2014 sesa në vitet paraprake. Kjo është më shqetësuese, kur dihet se  viti 2014 ka qenë vit zgjedhor. Sipas një hulumtimi të institutit GAP, Kabineti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka shpenzuar më së shumti mjetë për karburante, apo 50,859.77 euro. Pas MPMS-së radhitet Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovë (MFSK) me 30,010 euro; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) me 27,620 euro etj. “Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti karburant për veturën e tij zyrtare është ish-ministri i MPMS-së, Nenad Rashiq, me 11,921.63 euro të shpenzuara. Pas tij vijnë ish-ministri i MKRS-së, Memli Krasniqi, me 9,015 euro të shpenzuara, pastaj ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku me 8,520 euro etj.”, thuhet në hulumtimin e GAP-it.

Box: Borxhi i organizatave buxhetore 165 milionë €

Organizatat buxhetore gjatë vitit të kaluar kanë krijuar një shumë të konsiderueshme të borxheve në vlerë prej 165 milionë euro. Ky borxh i krijuar nga organizatat buxhetore gjatë vitit të kaluar ka ndodhur  për shkak të zotimeve pa mbulesë financiare. Këto i ka bërë të ditur ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, gjatë shqyrtimit të raportit financiar vjetor të buxhetit të Kosovës për vitin 2014. Këto obligime janë shqetësuese edhe për ministrin Hoti, i cili ka njoftuar se Qeveria ka marrë masa që asnjë organizatë buxhetore të mos mund të krijojë shpenzime në rast se ato nuk janë të reflektuara në buxhet.

Box: Antikorrupsioni, 552 raste në Prokurori

E themeluar në vitin 2007, me qëllim të inicimit dhe zhvillimit të procedurave dhe zbulimin e hetimin paraprak të korrupsionit, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), për shtatë vjet të themelimit të saj, ka arritur që të grumbullojë prova dhe t’i procedojë për në Prokurori e Polici gjithsej 552 raste. Ndonëse për shumë nga to Agjencia ka marrë përgjigje nga institucionet e hetuesisë, për dhjetëra të tjera nuk ka marrë përgjigje dhe nuk dihet nëse janë proceduar ndonjëherë nga organet kompetente. Në vitin 2007 AKK në Institucionet Kompetente  ka përcjellë 47 raste në të cilat kanë qenë të përfshirë 91 persona, në vitin 2008 ka përcjellë  gjithsej 53 raste në të cilat kanë qenë të përfshirë 113 persona, në vitin 2009 AKK ka përcjellë 68  raste, ku janë të përfshirë 159 persona, në vitin 2010 ka përcjellë 33 raste, ndërkaq janë të përfshirë 164 persona, në vitin 2011 ka përcjellë 39 raste të përshirë 121 persona, në vitin 2012 janë përcjellë gjithsej 52 raste, me përfshirje të 159 personave, në vitin 2013 janë përcjellë gjithsej 128 raste kundër 238 personave. Ndërsa, në vitin 2014 janë përcjellë gjithsej 131 raste kundër 163 personave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keqperdoren-parate-publike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala