Kelmendi: Me këtë buxhet, punësimi është vetëm iluzion

Autori:Avdyl Pajaziti

Biznesmeni i njohur kosovar dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Kelmendi ka vazhduar me rekomandimet në drejtim të institucioneve shtetërore përkatëse, me theks të veçantë Ministrisë së Financave në zbërthimin e realitetit kosovar buxhetor dhe asaj që po paraqitet e prezantohet.

Sipas Kelmendit, është iluzive të pritet që buxheti i Kosovës të jetë buxhet punësimi. Në këtë mes Kelmendi konsideron se vetëm fuqizimi i bizneseve ekzistuese, bizneseve të reja (të brendshme dhe të jashtme) që do të gjeneronin vende pune do të mund të fuqizonte buxhetin. Kelmendi shquhet si një nga politikanët që fokusin e tij politik e ka drejtuar dhe zhvilluar në të gjitha periudhat, në favor të ngritjes ekonomike dhe punësimit të të rinjëve.

Telegrafi ua sjellë në vazhdim rekomandimet në tërësi nga biznesmeni dhe deputeti Ramiz Kelmendi

Buxheti i pasur nga ekonomia e varfër?!

Buxheti i Republikës së Kosovës (1.6 miliard euro) i mbledhur nga taksapaguesit e Kosovës dhe i krijuar nga bizneset dhe diaspora është buxheti më i madh i mundshëm që është arritur. Ky buxhet si i tillë, nuk është as për së afërmi buxhet i plotësimit të nevojave qe ka shteti i Kosovës. Por, së pari të analizojmë se çfarë roli ka buxheti i Republikës së Kosovës?!

Buxheti është ligj për realizimin e kërkesave të parashtruara nga komunat, qeveria me dikasteret e saj (shëndetësi, arsim, polici, të dhënat sociale, pensionet etj) dhe organizatat tjera buxhetore (pagat) në njërën anë dhe në anën tjetër shpenzimet materiale që mbështesin këto organizata buxhetore për vitin 2016 dhe të cilat edhe këto konsiderohen shpenzime të përhershme. Kemi parasysh këtu edhe planifikimin e kërkesave të investimeve kapitale që kanë komunat, qeveria, grantet dhe financimet në bujqësi e që janë shpenzime variabile në raport me mundësitë. Nga këto investime kapitale dhe investimet në mirëmbajtje të infrastrukturës dhe objekteve të ndryshme përfitojnë të gjitha bizneset private të cilat ndërlidhen me marrjen e tenderëve.

Pra, nga këto elemente ne shohim se buxheti i Kosovës vetëm tek shpenzimet që bëjnë këto organizata buxhetore dhe investimet kapitale në infrastrukturë e mirëmbajtje kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e të punësuarve aktual që ndërlidhen me kontrata me kompanitë private. Edhe nëse buxheti i Kosovës rritet kjo nuk mundë të shtojë numrin e të punësuarve çfarë ne presim, meqë një pjesë e tij shkon në të ardhura personale dhe vetëm një pjesë e vogël shkon në investime kapitale. Pra, këtu mundë të presim rritje të punësimit nga 3 deri në 5 për qind. Çdo pritje e punësimit më shumë se 5 për qind është joreale.

Buxheti i Republikës së Kosovës rritet vetëm atëherë kur rriten të hyrat të cilat mblidhen nga organet buxhetore siç janë doganat dhe Administratat Tatimore, apo me rritje të numrit të të punësuarve, shtimin e zhvillimit ekonomik dhe në rastin tonë edhe rritja e remitencave. Buxheti i Republikës së Kosovës bazohet në Doganë dhe TVSH të cilën e paguajnë qytetarët nga konsumi.

Cilat elemete e bëjnë buxhetin më të madh dhe më stabil?

1. Eliminimi i informalitetit fiskal të çfarëdo lloji, siç është zvogëlimi i sasive dhe çmimeve gjatë importit, mos-implementimi i arkave fiskale tek të gjithë akterët ekonomik, duke filluar nga kiosqet, bizneset individuale (këngëtarët, avokatët, mjekët privat, rrobaqepëset, frizerët dhe shumë të tjerë). Pompat e derivateve nuk ishte dashur të lejohen të mosfiskalizohen meqë këta operatorë ekonomik kanë më së shumti ndikim në buxhet sepse kanë edhe TVSH dhe akcizë.

2. Informaliteti në punësim. Edhe këtu duhet të punohet në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë të njerëzve të punësuar dhe të ardhurat që ata kanë, tatimet që ata paguajnë në buxhet si dhe taksat në fondin pensional, në mënyrë që mos të jenë barrë e buxhetit për fondin social.
3. Me eliminimin e këtyre informaliteteve do krijoheshin pasqyrat e qarta për të hyrat buxhetore dhe mundësi të shumta që qeveria të ketë fonde për mbështetje dhe të krijoi lehtësira fiskale për tu zhvilluar ekonomikisht bizneset ekzistuese e paralelisht të nisnin edhe biznese të reja. Nga këtu kuptojmë se vetëm zhvillimi ekonomik i bizneseve ekzistuese dhe bizneseve të reja të jashtme e të brendshme në funksion të punësimit do të mundë të rrisnin dhe fuqizonin buxhetin e Republikës së Kosovës.

4. Niveli i ngarkesave tatimore për biznes dhe të punësuar, artikull si në rolin e lëndës së parë dhe në rolin e konsumit në raport me shtetet e rajonit, është fakt me rëndësi që niveli i prodhimtarisë të rritet dhe këto elemente të fuqizojnë biznesin vendor, gjë e cila është parakusht themelor për të përballuar konkurrencën, si të brendshme ashtu edhe atë të jashtme. Kjo gjë nuk është në kundërshtim me ligjet e ekonomisë së tregut dhe mos të harrojmë, me këtë fuqizohemi që të kyçemi në tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Evropian.

5. Me rritjen e numrit të të punësuarve p.sh. në këtë mandat për 100 mijë dhe me të ardhura personale prej 300 euro në muaj, në treg do qarkullonin afër 360 milionë euro të reja e që nga këtu do të kemi të hyra buxhetore shtesë mbi 72 milionë euro. Kjo e hyrë buxhetore e planifikuar mundëson planifikimin e lehtësirave fiskale për biznese sidomos për lind të parë dhe ambalazhime deri në 50 milion euro, që me komoditet mundë të pohoi se edhe mundë të realizohen.

Andaj, pritjet që buxheti i Republikës së Kosovës është buxhet zhvillimor, janë iluzion për të rinjët dhe të papunësuarit, sepse vetëm ekonomia e bënë fuqizimin e buxhetit. Nga kjo del se ne, urgjent duhet të fokusohemi në zhvillim dhe punësim e në veçanti në eliminimin e informalitetit dhe fuqizimit te bizneseve bashkë me zhvillimin dhe me ndryshime fiskale. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kelmendi-me-kete-buxhet-punesimi-eshte-vetem-iluzion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala