KEK-u pranon shkeljet ligjore në tender

Korporata Energjetike e Kosovës sërish e ka pranuar se ka bërë shkelje të Ligjit të prokurimit gjatë vlerësimit të ofertave në një tender që peshon rreth 200 mijë euro,
Disa nene të Ligjit të prokurimit publik KEK-u i ka shkelur në tenderin për “montimin dhe demontimin i valves kryesore rregulluese për furnizimin e kazanit me ujë për B1, A3”.
Konstatimet për shkelje ligjore i ka bërë eksperti shqyrtues i caktuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për të shqyrtuar ankesën e kompanisë “B&D Engineering”, e cila ishte ankuar kundër njoftimit për dhënie të kontratës të lëshuar nga KEK-u.
E në njoftimin për dhënie të kontratës, të publikuar në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit, KEK-u ka rekomanduar që kontratën t’ia japë kompanisë “ATM Engineering”, shkruan sot Koha Ditore.
Vlera e kontratës së planifikuar për t’u nënshkruar ishte 158 mijë e 943 euro, të cilën e kishte ofertuar kompania “ATM Engineering”, përcjell koha.net. Mirëpo, në të njëjtin njoftim është shkruar se vlera më e madhe e ofertuar ka qenë për 100 mijë euro më e lartë, apo 262 mijë euro. Gazeta ka mësuar se oferta e kompanisë ankuese është dukshëm më e lartë se ajo që KEK-u e ka rekomanduar për kontratë.