KEK sakrifikon 416 punëtorë vetëm për një tender

Autori:Avdyl Pajaziti

Për një tender, Korporata Energjetike e Kosovës ka lënë në baltë 416 punëtorët më të varfër. Menaxhmenti i kësaj kompanie e gjeti ta sakrifikojë stafin me pagat me të ulëta. Bëhet fjalë për punëtorët e Sigurimit Fizik në KEK të cilët janë pa kontrata pune.

Të njëjtët vazhdojnë të bartin uniformat e kompanisë Security Code dhe të bëjnë roje në mbi 100 pika të sigurimit në KEK edhepse kjo kompani publike nuk ka kontratë me ta.

“Vetëm po ruajmë. Nuk e dimë a do të marrim rrogë a jo, apo kush do të na paguajë”, thonë punëtorët pa guxuar t’u përmendet emri.

“Ne e dimë se të bartim uniformat e një kompanie tjetër është e jashtëligjshme, por jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë”, thonë ata.

Gazeta Fjala ka dërguar pyetje në adresë të menaxhmentit të KEK-ut lidhur me këto çështje, por nuk ka marrë përgjigje disa ditë me radhë.

Çështja e sigurimit fizik që nga viti 2004 ka qenë problematik për këtë kompani. KEK kishte vendosur ta jashtëkontraktojë këtë shërbim, duke lënë as andej, as këndej mbi 600 punëtorë. Ata herë punojnë për një kompani private, herë për një tjetër, herë kthehen në KEK e herë mbesin punëtorë të askujt. Një pjesë e tyre tashmë kanë kaluar në pjesën e privatizuar të kësaj kompanie, KEDS. Por, janë edhe 416 punëtorë tjerë, të cilët vazhdojnë ta kenë ecejaken e njëjtë për mbi 10 vjet me radhë.

“Jahtëkontraktimi i këtij shërbimi duhet hulumtuar në detaje. Ai është bërë pa asnjë ligj. Për më tepër kostoja totale ku përfshihen pagat, dëmet dhe gjithçka që ka të bëjë me këtë shërbim pas nxjerrjes jashtë të shërbimit kushtonte 9 milionë euro, përderisa atëherë nuk kushtonte as 5 milionë në vit”, thotë një burim i Gazetës Fjala i afërt me këtë proces.

“Vjedhjet në vend të zvogëloheshin, u rritën. Për me keq, punëtorët tash kanë rroga dukshëm më të vogla. Dikush duhet të japë përgjegjësi ku po shkojnë miliona euro në vit para që i takojnë shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Kërkesë decidive e punëtorëve është që të kthehen në KEK e të mos bëhet shaka me fatin e tyre. Lidhur me këtë, ata kanë mbajtur edhe protesta, por që nuk janë përfillur nga menaxhmenti i KEK-ut. Lidhur me këtë kërkesë ata i janë drejtuar edhe gjykatës, por nuk ka një vendim ende.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kek-sakrifikon-416-punetore-vetem-per-nje-tender/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala