KEDS tregon përse po u futen nëpër shtëpi qytetarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Futja e punëtorëve të KEDS-it, për kontrollë, nëpër shtëpi të qytetarëve pa leje dhe pa autorizim nga institucionet kompetente, po arsyetohet nga zyrtarët e kësaj kompanie si domosdoshmëri për të evituar humbjet.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS, thotë se kjo është e rregulluar me ligj.

“Edhe ju e dini se te konsumatori kur njëhsori rezulton i manipuluar (i keqpërdorur) nga atëher sipas ligjit në fuqi dhe rregulloreve të aprovuara nga ZRRE jemi të obliguar të bëjmë evidentimin e paisjeve që i posedon konsumatori e mandej të bëjmë rikthimin e humbjeve në bazë të fuqisë së paisjeve”, ka thënë Buzhala, për Gazetën Fjala.

Por, një ditë më parë, këto kontrolle Avokati i Popullit, i ka vlerësuar si të kundërligjshme i cili ka kërkuar masë të përkohëshme për pezullimin e tyre.

“Duke pasur parasysh se kontrolli i paautorizuar i banesës mund të shkaktojë shkelje të së drejtës në privatësi dhe shkelje të së drejtës së pronës, të dyja këto të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Republikën e Kosovës, Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse masë të përkohshme ( pezullim) të këtyre aktiviteteve, të cilat, sipas hetimeve preliminare, besohet se janë duke u ndërmarrë nga ana e KEDS-it”, thuhet në kërkesën e zyrës së Avokatit të Popullit.

Në këtë institucion konfirmojnë se kanë pranuar ankesa të ndara lidhur me aktivitetet e Kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike sh.a. (KEDS j.s.c) për kontrollimin e pajisjeve elektrike nëpër banesa, shtëpi dhe hapësira private.
Në bazë të pretendimeve të ankuesve, punëtorët e KEDS-it i kryejnë këto kontrolle pa autorizim nga organet kompetente përkatëse dhe se këto kontrolle kryhen në mënyrë kolektive nëpër lagje të caktuara./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keds-tregon-perse-po-u-futen-neper-shtepi-qytetareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala